Shosholli: Nuk kemi nevojë për ligjërata
Në ndeshjen Drita – Trepça, trajneri mysafir, Ajet Shosholli pati fatin e keq, pasi u përjashtua nga bankina për shkak të një fjalosje me gjyqtarin anësor, Driton Preniqi. Për këtë arsye, Shosholli kishte dhënë shpjegimet e tij, por që nuk është ndalur me kaq.
“Them se gjithë ata që janë pjesë e një gare futbollistike, trajnerët, punëtorët sportivë apo edhe gjyqtarët, i nënshtrohen rregulloreve të caktuara të mirësjelljes. Mirëpo, gjithashtu dihet që futbolli nuk është teatër, por lojë burrash, por të gjithë ata që i thyejnë këto rregulla i nënshtrohen procedurës së caktuar”, tha fillimisht Shosholli për gazetën SportPlus.
Para dy ditësh, gazeta kishte trajtuar temën e largimit të trajnerëve nga bankina në fundjavë. Ndërkohë, kishte marrë opinionet e Hysni Maxhunit dhe Erdogan Celinës së papunë, të cilët kishin kritikuar kolegët e tyre për sjelljet, duke i sugjeruar që të jenë më të qetë në raport me gjyqtarët. Edhe në këtë drejtim ka ardhur kundërpërgjigja e Shoshollit.
“Por, një gjë është e sigurt që nuk ka nevoje askush të na mbajë ligjërata të mirësjelljes se si duhet të sillemi e më së paku ata të cilët në kohën kur është dashtë që të jenë pjesë e futbollit kosovar, kanë ikur nga futbolli jonë dhe i kanë shërbyer tjetërkujt”, përfundoi trajneri i Trepçës, skuadra e të cilit është në vendin e dhjetë në renditje me 13 pikë. /Telegrafi/


