Shkrimtari Amik Kasoruho: S’jam sigurims
Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, nga Italia ku ndodhet për kurim, ai ka sqaruar edhe sfondin që ka çuar në këto deklarata, që e kanë gjetur të habitur.
I pyetur se si e ka pritur sulmin e Skënder Tufës, Kasoruho ka thënë se nuk është hera e parë që Tufa e akuzon.
“E ka bërë edhe herë tjetër në media. Me sa kuptoj unë, ka interpretuar egër, shprehjen time në kohën kur ai ishte pjesë e grevës së urisë së të përndjekurve”, - shprehet ai, duke shtuar se “atëkohë, unë kam thënë: ‘Nuk e djeg veten as për 3, as për 30 milionë lekë’. Dhe kjo fjali është thënë në kontekstin që, njerëzit mund të protestojnë për shumë arsye të tjera, si për shembull: se nuk janë hapur dosjet; se nuk janë dënuar hetuesit; se nuk janë kthyer pronat, por jo se s’kanë marrë lekët”, sqaron Kasoruho.
Përkthyes dhe shkrimtar, Amiku është i njohur në publik edhe për faktin se i ati, Qemal Kasoruho, është pushkatuar nga regjimi komunist për bombën në Ambasadën Sovjetike. Prej pothuaj një viti këshilltar i presidentit, Kasoruho, zhurmën që rrethon sot emrin e tij e sheh të lidhur me politikën dhe zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Nuk e kuptoj pse lindi sot ky problem, kur unë kam 20 vjet që shkruaj dhe botoj. Pse lind ky problem dhe pse vijnë këto akuza, pikërisht sot, mbasi ndryshoi situata politike në Shqipëri?”, pyet ai i befasuar.
Në këtë kontekst, këshilltari i Nishanit, thekson se “nuk arrij të kuptoj, përse duhet të përdorem unë për të goditur dikë tjetër? Më duket se është një histori e orkestruar dhe e menduar mirë, e megjithatë është shumë, shumë e ulët”.
Ai ‘këshillon’ që, nëse dikush do që të gjejë spiunët, duhet t’i kërkojë ata nëpër dokumente, kur thotë se “nëse duan të gjejnë spiunët, ka organe shtetërore që kanë dosjet për këtë çështje. Le të gërmohet, le t’i gjejnë faktet për këtë punë”.
Lidhjen e emrit të tij me organet e spiunimit e konsideron të turpshme, pasi ata që sot e bëjnë këtë kanë pasur të njëjtin fat me Kasoruhon nën komunizëm. “Nuk është e drejtë të më akuzojnë. Unë nuk kam pasur asnjë lidhje me regjimin, as me organet e Sigurimit, dhe kjo, nga sa thashë më sipër, duket se është e qartë si drita e diellit se cilat kanë qenë marrëdhëniet e mia me ta. Prej tij unë u dënova, prej tij u internova, ashtu sikundër ata që më akuzojnë”, tha Kasoruho.
Ai tregon për “GSH” se ende nuk është njohur nga afër me materialin e thënë kundër tij. “Di vetëm çfarë më kanë thënë në telefon. Megjithatë, këto ditë, do më duhet ta lë kurën dhe do të vij në Tiranë, të njihem me materialin dhe të jap një përgjigje më të qartë për ‘akuzat’”, thotë ai.
Prej dy muajsh, Kasoruho ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore.
“Kam ardhur në Itali në datën 4 korrik, sepse nuk e dija se do të bëhet kjo që u bë. Dola nga spitali ku isha shtruar në Tiranë dhe kam ardhur në një spital në Bari, ku jam i shtruar për shkak të problemeve shëndetësore. Mbi arsyet e mosqenies sime në Tiranë, mund të ketë shumë aludime, por asnjë prej tyre nuk qëndron”. /Telegrafi/


