Shkatërrohet grupi që vidhte internetin e përdoruesve Android
Google ka arritur të shkatërrojë një rrjet të madh global që “vidhte” internetin e miliona përdoruesve të Android.
Kjo rrjetë ishte krijuar nga kompania kineze Ipidea, e cila lejonte palë të treta të përdornin adresat IP të pajisjeve të tjera për trafikun e tyre në internet – shpesh për aktivitetet e dyshimta apo kriminale – pa dijeninë e pronarëve të pajisjeve.
Rrjeti funksiononte si një “Airbnb” për lidhjet e internetit: përdoruesit instalonin aplikacione e lojëra falas që përmbanin një kod të fshehur.
Ky kod e kthente telefonin ose kompjuterin e tyre në një “nyjë dalje”, duke e lejuar dikë tjetër të shfrytëzonte lidhjen e tyre të internetit. Si rezultat, u krijonte iluzioni se aktivitetet në internet po kryheshin nga përdoruesi origjinal.
Sipas raportimeve, hakerët përdorën këtë infrastrukturë për të krijuar edhe një ‘botnet’ të quajtur Kimwolf, i cili përfshinte rreth dy milion sisteme dhe u përdor për sulme të mëdha DDoS kundër faqeve interneti.
Pas mbylljes së shumë faqeve dhe serverëve të lidhur me Ipidea, afro nëntë milionë pajisje Android u “pastruan” nga ky rrjet, ndërsa Google hoqi qindra aplikacione të lidhura nga dyqani i tij dhe Play Protect tani bllokon automatikisht instalimet e softuerëve të ngjashëm.
Ipidea ka thënë se shërbimet e saj përdoren në mënyrë legjitime dhe kundërshton krimin, por pranon se ka përdorur metoda agresive reklamimi në forume hakerësh. Ekspertët e sigurisë këshillojnë kujdes ekstrem me softuerët “falas” që duken shumë të mirë për të qenë të vërtetë. /Telegrafi/


