Please enter at least 3 characters.

Shkarkimi i rektorit, fillimi i fundit i pushtetit arbitrar

2016/01/shkarkimi-i-rektorit-fillimi-i-fundit-i-pushtetit-arbitrar_hd.jpg

“Me të drejtë ne e quajmë mësues atë që na mëson. Por, jo çdo njeri që na mëson e meriton këtë titull”! (Johan Volfgang Gëte)

Nuk mund të jem indiferent karshi zhvillimeve të fundit që po ndodhin në vend, saktësisht në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, dhe jashtë tij, sidomos jo kur ke qenë student aty për një kohë.

Pamjet tronditëse nga këto protesta që tashmë kanë pushtuar edhe mediumet ndërkombëtare, gjë e cila më së paku na duhet në këto momente, më ngjason me protestat e vitit 1997 kur transmetoheshin në mediumet ndërkombëtare. Ndonëse dallimi mes protestave të asaj kohe dhe atyre që po ndodhin sot është i madh, nëse e shohim dhunën e aplikuar policore, mund të konstatojmë së është po e njëjta. Në një vend normal për një gjë të tillë nuk do të ishte e nevojshme të protestohej, pasi që rektori do të duhej të jep dorëheqje si akt moral qysh në pretendimet e para të bëra nga ana e disa profesorëve për publikimet e tij në revista të rreme shkencore.

Po ta shohësh diskutimin parlamentar që u bë këto ditë në Parlamentin e Kosovës për zhvillimet e fundit në universitetin publik, mund të vëresh qartazi që hezitimi për të miratuar rekomandimet e propozuara nga opozita janë të qëllimshme. Për më të tepër, pozita e bojkotoi seancën, gjë e cila e pamundësoi votimin e rekomandimeve, metodë kjo e njohur tashmë e partisë në pushtet kur dëshiron të tejkalojë problemet.

E gjithë kjo nuk po ndodh rastësisht. Partia që udhëheq me pushtetin ka drojën se po të miratohen rekomandimet e propozuara nga opozita, rektori duhet të shkarkohet e bashkë me të më pastaj edhe rrethi i tij, dhe në këtë mënyrë “marrëveshja” e dikurshme e PDK dhe AKR-së për koalicionin qeverisës do të vihej në rrezik (e si rrjedhojë e kësaj mund të acarohen marrëdhëniet me partinë në koalicion dhe e gjithë kjo mund të qojë në shkëputjen e koalicionit).

Tradicionalisht, nga protestat e studentëve kanë rezultuar rilindje, si ndërkombëtare po ashtu edhe vendore. Nuk vihet në diskutim se të drejtat e tyre janë legjitime. Por, a mund të jetë vallë protestat e studentëve si një nismë për ta quar vendin në zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj dhe besoj që po. Këtë bindje më shumë ma forcon droja e partisë në pushtet për të votuar pro rekomandimeve të dala nga opozita.

Tekefundit, dalja në shesh e gjithë këtyre parregullsive dhe shkeljeve të ligjit, tash sa kohë nga ana e këtij pushteti, mendoj që i ka ardhur fundi njëherë e mirë, në mënyrë që vendi të mos dëmtohet edhe më shumë.

Qëndrimi kategorik i rektorit se nuk do të jap dorëheqje nga posti nuk korrespondon me qëndrimin e një “profesori” i cili i sheh studentët e tij të zvarritur për tokë dhe të shkelur më “çizme” në kokë. Po të isha në vendin e tij, edhe e gjithë kjo po të ishte një “puq” i kurdisur nga kushdo qoftë, unë me kënaqësinë më të madhe do të jepja dorëheqje si akt moral vetëm, vetëm të mos shihja skena të tilla të cilat sot po i sheh mbarë opinioni kombëtar e ndërkombëtar. Me këtë veprim do t’ju jepej mundësia organeve gjegjëse për hetim, dhe nëse nga hetimet do rezultonte pafajësia e tij atëherë ai do ishte i pastër para të gjithëve, përfshirë këtu edhe studentët.

Për më tepër, profesorët që dolën në përkrahje të protestave u akuzuan ashpër nga Rektorati me arsyen se edhe ata qenkan avancuar në saje të publikimeve jo të rregullta. Ky fakt vetëm sa e rëndon rektorin, për arsye se ai paska qenë në dijeni gjatë gjithë kësaj kohe për gjithë këto parregullsi dhe se deri më tani nuk paska reaguar. Po ashtu, u kritikua edhe një pjesë e shoqërisë civile që dolën në përkrahje të protestuesve. Për mendimin tim shoqëria civile atë mision e ka, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme këtu.

Tezave konspirative se gjoja protestuesit janë “UDB-sha”, se “kjo po gatuhet në kuzhinat e Beogradit”, “tradhtarë” etj., mendoj që ju ka ardhur fundi, pasi që më nuk po shiten. Në këtë vend ku pjesa dërmuese e tij përbëhet me rini, është e natyrshme që edhe të udhëhiqet nga brezi i ri. Kjo është e vetmja mënyrë për të avancuar këtë shtet, pasi akterët politikë që sillen tash sa kohë në skenën politike janë konsumuar.

Është për keqardhje gjendja e përgjithshme e arsimit të lartë në Kosovë. Këtë gjë nuk e meriton ky universitet, këtë gjë nuk e meritojnë as disa nga profesorët me reputacion kombëtar e ndërkombëtar që kemi, këtë gjë nuk e meriton kjo shoqëri.

Dashtë Zoti, rekomandimet të miratohen dhe le të hetohet e të zbardhet gjithçka. Po ashtu, uroj që këto ngjarje të jenë fillimi i fundit i këtij pushteti arbitrar, policor, familjar e çka jo tjetër.