Please enter at least 3 characters.

Shfrytëzoi pronën e Komunës së Istogut pa kontratë që nga viti 2012, i mbetet borxh mbi 10 mijë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka zbuluar një rast të rëndë të keqmenaxhimit me pronën publike në Komunën e Istogut. Sipas raportit të fundit të auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2025, një shfrytëzues ka vazhduar ta mbajë në përdorim pronën komunale për 14 vjet rresht pa kontratë valide, duke grumbulluar një borxh prej mbi 10 mijë eurove ndaj arkës publike.

Në raportin zyrtar të ZKA-së evidentohet se kontrollet e brendshme të komunës kanë dështuar në mënyrë të vazhdueshme për të formalizuar dhe monitoruar procesin e kontraktimit të pasurive të dhëna me qiradhënie.

Dhënia në shfrytëzim e pronës komunale pa kontratë valide dhe me borxhe të grumbulluara është konstatuar si shkelje në raportin e auditimit, ku saktësohet se kontrata për këtë hapësirë kishte skaduar që në vitin 2012.

“Në një (1) rast të shfrytëzimit të pronës komunale, kontrata për shfrytëzimin e pronës kishte skaduar në vitin 2012, megjithatë, prona vazhdon përdoret nga shfrytëzuesi dhe të faturohet nga komuna. Shfrytëzuesi i kësaj prone kishte obligim të papaguar të qirasë ndaj komunës in vlerë 10,320 €” – thuhet tekstualisht në gjetjen e Auditorit të Përgjithshëm, raporton Telegrafi.

Shkelja e kornizës ligjore

Auditori ka kujtuar udhëheqjen komunale se kjo praktikë bie ndesh drejtpërdrejt me legjislacionin në fuqi që rregullon menaxhimin e pasurisë publike në nivel lokal. Bazuar në Ligjin Nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, konkretisht nenin 23 të tij, përcaktohet qartë se pas përfundimit të afatit të paraparë në kontratë, prona duhet t'i kthehet menjëherë në posedim komunës.

Për shkak të këtyre gjetjeve dhe parregullsive të tjera të identifikuara në pasqyrat financiare, Komuna e Istogut ka pranuar "opinion të kualifikuar" nga ZKA. Raporti i vitit 2025 ka rezultuar me gjithsej 12 rekomandime, prej të cilave pesë janë krejtësisht të reja, ndërsa shtatë janë përsëritur nga vitet e kaluara për shkak të mosadresimit të tyre.

Komuna e Istogut pranon gjetjet e Auditorit

Për të sanuar këtë gjendje, Auditori i Përgjithshëm i ka drejtuar një rekomandim të prerë kryetarit të Komunës së Istogut, Ilir Ferati. Sipas rekomandimit, kryetari duhet të sigurojë që pas përfundimit të afateve kontraktuale pronat t'i kthehen komunës, ose të njëjtat të futen në proces të ri të kontraktimit duke u bazuar rigorosisht në procedurat ligjore dhe në çmimet aktuale të tregut.

Lidhur me këtë gjetje dhe të gjitha pikat e tjera të raportit, menaxhmenti i Komunës së Istogut nuk ka paraqitur asnjë kontestim. Përmes një letërkonfirmimi zyrtar të nënshkruar nga kryetari Ilir Ferati, komuna është pajtuar plotësisht me përmbajtjen e draft-raportit dhe ka marrë përsipër zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit. /Telegrafi/