Sherri i mikut të mirë në ditët e vështira!
- Diskriminimi me viza transit nga ana e Kroacisë kundër Kosovës -
Cili ishte lajmi më kryesor dhe njëkohësisht më dëshpërues për Kosovën gjatë vitit 2009? Ai që vazhdon të prodhojë lajme përcjellëse, komente, debate, analiza, reagime, e shumëçka tjetër, e ky ishte, vendimi i datës 15 korrik për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian (KE) i Bashkësisë Evropiane (BE) për tri vende të Ballkanit Perëndimor: Serbinë, Malin e Zi, dhe IRJ të Maqedonisë në njërën anë, dhe përjashtimi i Bosnjë Hercegovinës (BH), Shqipërisë, dhe Kosovës në anën tjetër. Vendimi hyri në fuqi më 19 dhjetor 2009.
Nuk dua të thellohem shumë në diskutimin e diskriminimit në liberalizimin e vizave nga ana e KE-së. Do të përqendrohen në heshtjen e pafalshme, e ndoshta edhe të dënueshme, të shoqërisë kosovare ndaj një pengese më të kushtueshme me vizave se ajo e KE-së. Fjala është për vizat transit të Kroacisë që i zbaton vetëm kundër Kosovës. Në vazhdim po u sjelli përvojën time personale me vizën transit të Kroacisë.
Përshkrimi i rastit
Pas një qëndrimi disa javësh në Lubjanë, në fund të muajit vendosa të udhëtoj për në Prishtinë nëpërmjet Kroacisë. Kisha vetëm një hall. Më duhej vizë transite kroate, përderisa prindërit e mi këtë problem nuk e kishin. Ata kanë pasaporta sllovene. Në ambasadën kroate në Lubjanë për një vizë 24 orëshe pagova 71 euro. (Edhe në ambasadën e Kroacisë në Prishtinë po kushtuaka 71 euro për 24 orë). Më pak se gjysmën e kësaj shume (35 euro) kisha paguar për vizë schengen italiane tre muajshe pa kufizime.
Nejse, u nisëm, dhe gjithçka shkoi mirë deri në kufirin kroato –boshnjak – kroat, te porti i Neumit. Aty na ndaluan. Dhe filluan maltretimet psikike. Sipas policëve kufitarë, mua nuk më lejohej hyrja në ato pak kilometra shtet boshnjak. “Çfarë të bëjmë më ty”, ishte pyetja e policit (sipas të gjitha gjasave kroat; mbi 90% e popullsisë së Neumit janë kroatë), i cili dukej sikur kërkonte t’i futeshin disa euro në xhep, si “shpërblim” për të mos na humbur shumë kohë, në udhëtimin e gjatë që po na priste deri në Kosovë. Polici sillej vërdallë rreth veturës sonë, me regjistrim të Lubjanës.
Një ekstrakt nga biseda që ia vlen të theksohet, ishte:
Polici: E dini ju që ne (BH) ende nuk iu kemi njohur juve (Kosovën) si shtet?
Unë: E di, por as ne (Kosova) ende nuk iu kemi njohur juve (BH-në) si shtet!
Pas 30 minutash, pritjeje, pasi polici në fund e kuptoi se ne nuk po e “hanim foren” t’i jepnim ryshfet, na liroi. Mirëpo, shqiptarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër atë rajon kroat të shtetit boshnjak, duhet të kenë kujdes dhe ta ngrisin zërin menjëherë kundër MPJ-së “sonë” sa nuk i ka shkuar mendja edhe këtij kantoni të BH të na plaçkit me viza transit. Harrojini një herë vizat e shteteve të BE-së dhe merruni me vizat transit më të shtrenjta që i zbaton një shtet “mik” i Kosovës i cili nuk është anëtar i BE-së.
Prej Neumit unë prapë do të kaloja në Kroaci. E mllefosur, nga rruga e gjatë që bëmë deri aty, dhe nga ky maltretim që besoj nuk e meritonim, hapa dritaren e veturës së babait dhe fillova t’i hedh lëvoret e bananeve pak nga inati që mua si kosovare edhe sa do të më duhet të maltretohem kështu nëpër kufij, e më shumë nga mllefi që mu krijua për MPJ-në “tonë” të cilës, kurrë nuk iu kujtua ta diskutoj e ta zgjidh këtë problem. Unë jam vetëm një nga kosovarët e shumtë që ballafaqohen përditë gjatë vajtje-ardhjeve të tyre nëpër Kroaci. Përfitimi nga këto viza tranzit është vetëm çmimi që duhet paguar për kalim nëpër Kroaci. Faktikisht, përfitimi i mirë dhe i paarsyeshëm është i ambasadave kroate në kurriz të shtetasve të Kosovës.
Kur i hodha lëvoret e bananeve nga vetura gjatë rrugës nëpër autostradë me shpejtësi të madhe, babai filloj të më qortoj:
- Uuu qikë, sa e pa kulturuar që je! E çka bane ashtu?!
- Po ia kthej Kroacisë shpenzimet e vizës transit, taksat për mbrojtjen e mjedisit dhe pagesat që i bëmë nëpër vend ndalimet e autostradave.
- Hahaha! Mirë, po ruaju se po na vërejnë, e na dënojnë, na kallin.
- Le t’na kallin e le t’na djegin! Edhe ashtu s’po na lënë keq pa na plaçkitur. Kur t’na kallin, s’mund të na plaçkitin më dhe kjo është humbje për Kroacinë. Nëse na arrestojnë, bëhet pak e madhe dhe dikush nga Kosova, së paku MPJ-ja dhe ndonjë komentator i guximshëm, do të reagojnë.
- Jaaa! Gabim e ke. Mos mendo se reagon kush nga Kosova, e aq më pak MPJ-ja.
E përmenda këtë rast gjatë udhëtimit, jo aq shumë për të kërkuar nga shoqëria kosovare dhe institucionet e “saj” të merren me zgjidhjen e këtij problemi të vizave tranzit, por me tepër të theksoj se niveli i shpëlarjes së trurit në Kosovë është aq i tmerrshëm sa që supozoj, ndonjë shqiptar mund të dal dhe ta lajmëroj policinë kroate, se Buqja gjatë udhëtimit nëpër Kroaci i ka hedhur lëvoret e bananeve nga vetura!
Me një vizë standarde schengen 35 euro (disa kushtojnë më shtrenjtë) ju mund të udhëtoni nëpër vendet e BE-së për qëndrim të përkohshëm, të përhershëm, për punë, studime, e shumëçka tjetër. Mirëpo, për të shkuar në shumicën e atyre vendeve me veturë, autobus, apo tren, në momentin që shkelni në Kroaci duhet të keni vizë që kushton 70 + 1 euro (me aeroplan për në aeroportin e Zagrebit kushton 35 euro). Për periudhë më të gjatë kohore, për shembull 6 muaj, viza transit për Kroaci kushton 35 euro. Pse e përdor Kroacia këtë sistem të standardeve të dyfishta me viza kundër shtetasve të Kosovës, dhe për çfarë qëllimi?
Për ta kaluar Kroacinë me veturë, më së shumti u nevojitet 7-8 orë, eventualisht 10 orë me disa pushime, e jo 24 sa u jep afat viza 71 euro. Për afat më të gjatë për vizë transit, Kroacia është e vetëdijshme se ju duhet flini diku në ndonjë hotel, të hani diçka, me fjalë tjera, të shpenzoni para që e tejkalojnë shumën e 35 eurove tjera që i ka përfshirë në vizën transit me afat të shkurt.
Ambasadori i Kroacisë në Prishtinë, Zllatko Kramariq po shitet gati më shqiptar se ne duke shkuar në ahengje të ndryshme nëpër Kosovë. Në vend se në shenjë “falënderimi” për kosovarët ta zbuste koston e vizave transite kroate për kosovarët, të cilat nuk janë asgjë tjetër pos një plaçkë e madhe, ai vazhdon me sistemin e standardeve të dyfishta duke i diskriminuar shtetasit e Kosovës me viza transit. Sidoqoftë, ai nuk ka faj sa ka shoqëria e Kosovës dhe institucionet e saj. Cili institucion, OJQ, komentator i guximshëm e ka diskutuar ose raportuar seriozisht këtë problem? Askush.
Ne ua dimë për faleminderit qëndrimin pro-Kosovës të Kroacisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Por, regjimi i kushtueshëm i vizave ndaj shtetasve të Kosovës, është një problem i madh të cilin autoritetet kosovare bashkë me ato kroate do të duhej ta zgjidhnin.
Kroacia ende mbetet mik i mirë i Kosovës. Vetëm se po e rrjep në formën më të mundshme. Proverbi shqiptar “Miku i mirë njihet në ditët e vështira” është më se i vërtetë në rastin Kroaci-Kosovë. Shqiptarët e Kosovës e përkufizojnë ndryshe, ndërsa realiteti e tregon se me çfarë veprimi miku i mirë njihet. A nuk u bë më e njohur Kroacia si mik i joni me këto viza?
Pavarësisht se çka i bënë Kroacia Kosovës, për shumicën e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës, Kroacia është miku i mirë që njihet në ditët të vështira. Nëse është kështu, atëherë, të gjithë ju gazetarë, shkencëtarë, politikanë, hulumtues, komentator të guximshëm, mos e lëshoni Stipe Mesiqin të dal gjallë nga Kosova pa na i hequr këto viza diskriminuese dhe plaçkitje.
Unë do të vija t’ia bëjë këtë presion Mesiqit, por kam frikë se “izbacivaqët” shqiptarë do të më nxjerrin shqelma jashtë po tentova të flas diçka për vizat diskriminuese dhe plaçkitjen kroate. Këtë nuk po e them nga mllefi. Ju thashë më herët se niveli i shpëlarjes së trurit të shumicës së shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës, është i tmerrshëm.
(Autorja është gazetare hulumtuese në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike)


