SHBA refuzon të bashkë-sponsorizojë rezolutën e OKB-së që mbështet integritetin territorial të Ukrainës?
Uashingtoni duket se po distancohet nga një projekt-rezolutë e OKB-së.
Duke cituar tri burime diplomatike, agjencia e lajmeve Reuters raporton se SHBA po refuzon të bashkë-sponsorizojë një rezolutë të OKB-së që mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe kërkon që Rusia të tërheqë trupat e saj, përcjell Telegrafi.
Votimi mbi rezolutën pritet të hënën - ditën e përvjetorit të tretë - dhe SHBA ka "sponsorizuar vazhdimisht" lëvizje të ngjashme në mbështetje të një "paqeje të drejtë në Ukrainë", tha një nga burimet, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Një burim tjetër i tha Reuters se rezoluta po sponsorizohet nga më shumë se 50 vende.
"Për momentin, situata është se ata [SHBA] nuk do ta nënshkruajnë atë", ka shtuar një burim.
Dhe misioni diplomatik amerikan në OKB në Gjenevë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, shkruan më tej Sky News.
Siç kujton Sky News, Financial Times ka folur me pesë burime të cilat thanë se SHBA është kundër thirrjes së Rusisë "agresore" në një deklaratë të G7 që do të publikohet të hënën.
Gjithçka vjen pasi rritet frika për qasjen e Uashingtonit për zgjidhjen e luftës, me Ukrainën dhe Evropën të lënë jashtë bisedimeve me Rusinë. /Telegrafi/


