SHBA me buxhet rekord prej 1.5 trilion dollarësh për mbrojtjen - dihet se ku do t'i shpenzojë
SHBA po përgatit një buxhet rekord prej 1.5 trilion dollarësh për mbrojtjen, i cili përfshin 750 miliardë dollarë për anije luftarake, aeroplanë dhe sistemin “Golden Dome”.
Sipas raportimit të Reuters, ky propozim i presidentit amerikan, Donald Trump për vitin fiskal 2027 përfaqëson rritjen më të madhe vjetore të shpenzimeve ushtarake amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore.
Buxheti parashikon 750 miliardë dollarë për flotën detare dhe aeroplanët luftarakë, përfshirë ndërtimin e anijeve të reja dhe blerjen e aeroplanëve modernë ushtarakë si F-35.
Një pjesë e rëndësishme e planit është edhe sistemi i mbrojtjes raketore “Golden Dome”, i cili synon të krijojë një mburojë shumë-shtresore kundër raketave balistike, hipersonike dhe të tjera kërcënime ajrore.
Ky projekt përfshin investime në teknologji hapësinore, sensorë të rinj dhe sisteme për kapjen dhe shkatërrimin e raketave para se të godasin objektivat.
Administrata amerikane thotë se ky buxhet synon të forcojë industrinë e mbrojtjes dhe të rrisë prodhimin e armëve, në një kohë tensionesh të rritura me Kinën dhe konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
Sipas dokumenteve të Pentagonit, një pjesë e fondeve do të përdoret edhe për modernizimin e ushtrisë dhe rritjen e kapaciteteve të saj operacionale në tokë, det dhe ajër.
Kritikët në Kongres kanë shprehur shqetësime se rritja e madhe e buxhetit ushtarak mund të shoqërohet me shkurtime në shpenzimet sociale dhe rritje të borxhit publik.
Propozimi tani pritet të diskutohet nga Kongresi amerikan, ku do të vendoset nëse do të miratohet, ndryshohet apo bllokohet. /Telegrafi/


