Please enter at least 3 characters.

SHBA-ja edhe zyrtarisht largohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përfunduar zyrtarisht procesin e tërheqjes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), duke i dhënë fund marrëdhënies shumëvjeçare me institucionin më të rëndësishëm global të shëndetit publik.

Vendimi u konfirmua nga Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humanitare dhe përmbush një premtim të hershëm të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e kishte nisur procesin e largimit që gjatë mandatit të tij të parë. Tërheqja u përshpejtua në ditën e parë të mandatit të dytë përmes një urdhri ekzekutiv, shkruan cnn.

Sipas ligjit amerikan, SHBA-ja ishte e detyruar të njoftonte institucionin një vjet përpara largimit dhe të shlyente detyrimet financiare ndaj organizatës. Megjithatë, autoritetet amerikane pranojnë se vendi ende i detyrohet WHO-s rreth 260 milionë dollarë, fonde që, sipas ekspertëve ligjorë, ka pak gjasa të paguhen.

Administrata amerikane ka njoftuar gjithashtu se të gjitha fondet për WHO janë pezulluar, ndërsa punonjësit dhe kontraktorët amerikanë të lidhur me organizatën janë tërhequr. SHBA nuk do të marrë më pjesë në komitetet dhe strukturat teknike të drejtuara nga WHO.

Pavarësisht kësaj, zyrtarët amerikanë theksojnë se vendi do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e shëndetësisë përmes marrëveshjeve dypalëshe dhe organizatave joqeveritare, veçanërisht në fushën e parandalimit dhe monitorimit të sëmundjeve infektive.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin ndërkombëtar të shëndetit publik. Ekspertë të shumtë paralajmërojnë se largimi i SHBA-s nga WHO mund të dobësojë bashkëpunimin global dhe ta bëjë botën më të cenueshme ndaj pandemive të ardhshme.

Me këtë veprim, SHBA bëhet vendi i parë dhe i vetëm që largohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila aktualisht numëron 193 shtete anëtare. /Telegrafi/