Shakira dhe Burna Boy ndezin atmosferën në ceremoninë hapëse të Kampionatit Botëror 2026
Kampionati Botëror 2026 ka nisur zyrtarisht këtë të enjte me një ceremoni spektakolare në stadiumin legjendar “Azteca” në Mexico City, përpara ndeshjes hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Ceremonia solli në skenë emra të njohur të muzikës botërore, me performancën e shumëpritur të këngëtares kolumbiane Shakira dhe artistit nigerian Burna Boy, të cilët interpretuan këngën zyrtare të Botërorit 2026, “Dai Dai”.
Dy artistët elektrizuan atmosferën para mijëra tifozëve të pranishëm në stadium, duke sjellë një performancë plot energji, koreografi dhe efekte vizuale. Kënga “Dai Dai” është zgjedhur si himni zyrtar i Kupës së Botës 2026 dhe mbështet Fondin Global të Edukimit të FIFA-s dhe Global Citizen.
Në ceremoninë hapëse performuan gjithashtu artistë të njohur si J Balvin, Danny Ocean, Belinda, grupi meksikan Maná dhe Los Ángeles Azules, ndërsa ceremonia u hap me një homazh ndaj kulturës azteke dhe traditave të Meksikës.
Pjesë e spektaklit ishte edhe këngëtari legjendar meksikan Alejandro Fernández, i cili interpretoi himnin kombëtar të Meksikës para fillimit të ndeshjes.
Botërori 2026 është edicioni i parë që organizohet nga tre shtete pritëse – Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja – ndërsa ceremonia e parë hapëse u mbajt në Mexico City, duke shënuar nisjen e festës më të madhe të futbollit në botë. /Telegrafi/
📺 Here’s Shakira performing “Dai Dai” with Burna Boy at the @FIFAWorldCup Opening Ceremony in Mexico!
📺 Mira la presentación de “Dai Dai” con Shak y Burna Boy desde la inauguración de la Copa Mundial en México! pic.twitter.com/PelJIh2NKA
— ShakiraMedia (@ShakiraMedia) June 11, 2026


