Shabani: Përmirësimi i menaxhimit të dokumentacionit dhe arkivave mbetet prioritet në Gjilan
Drejtori i Administratës në Komunën e Gjilanit, Elbasan Shabani, ka pritur në takim drejtoreshën për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Eljesa Rashiti, me të cilën ka diskutuar për menaxhimin e dokumentacionit dhe arkivave komunale.
Sipas Shabanit, takimi është zhvilluar në frymë bashkëpunimi dhe koordinimi institucional, me fokus në përmirësimin e menaxhimit të dokumentacionit dhe arkivave.
“Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi dhe koordinimi institucional, me fokus në përmirësimin e menaxhimit të dokumentacionit dhe arkivave komunale”, ka deklaruar ai.
Ai ka bërë të ditur se gjatë diskutimit është dakorduar për nevojën e formimit të një komisioni të posaçëm për arkivat komunale.
“Së bashku u dakorduam për nevojën e formimit të një komisioni të posaçëm për arkivat komunale, i cili do të merret me evidentimin, klasifikimin dhe sistemimin e materialeve arkivore në përputhje me standardet dhe legjislacionin në fuqi”, ka thënë Shabani.
Po ashtu, gjatë takimit është theksuar edhe rëndësia e trajtimit të rregullt të dokumenteve që nuk kanë më vlerë administrative apo ligjore.
“Dokumentet dhe materialet që nuk kanë më vlerë duhet të trajtohen përmes procedurave të parapara për asgjësimin e tyre”, ka shtuar drejtori i Administratës. /Telegrafi/


