Please enter at least 3 characters.

Sfidë speciale për Egzon Bejtullain dhe Endrit Krasniqin - luajnë kundër ish-klubeve ku fituan trofe

Drita dhe Shkëndija do të përballen në një natë magjike evropiane të enjten mbrëma (sonte) në Fadil Vokrri me fillim nga ora 21:00.

Është hera e parë që dy klube shqiptare takohen në këtë fazë garash në Ligën e Konferencës dhe pritet të jetë një sfidë shumë e veçantë.

Atmosfera në shkallët e stadiumit do të jetë e zjarrtë, me mbi 10 mijë bileta të shitura deri më tani, dhe 'Intelektualët' e Dritës dhe 'Ballistët' e Shkëndijës do të dhurojnë spektakël të paharrueshëm.

Sfidë shumë e veçantë do të jetë edhe për dy futbollistë: Egzon Bejtullain e Dritës dhe Endrit Krasniqin e Shkëndijës së Tetovës.

Të dy këta futbollistë kanë lënë gjurmë më herët edhe për kundërshtarët e sontëm të tyre.


telegrafi.com

31-vjeçari Bejtullai ka luajtur për 10 vite te Shkëndija e Tetovës në dy periudha të ndryshme, 2013-2020 dhe 2020-2023. Ai ka fituar tre tituj të kampionit me Shkëndijën dhe një Kupë të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, sezonin e fundit fitoi titullin e kampionit edhe me Dritën, duke realizuar ëndrrën e tij për të hyrë në fazën e ligës në Ligën e Konferencës, një eksperiencë që i kishte munguar te tetovarët më herët.

Në anën tjetër, mesfushori kosovar i Shkëndijës së Tetovës, Endrit Krasniqi, ka kaluar gjithashtu dy periudha te Drita, duke qëndruar tre vite.

Fillimisht ai ishte i huazuar nga viti 2015 deri më 2016, ndërsa në vitin 2017 u bashkua me gjilanasit për dy vite dhe fitoi titullin e kampionit me Dritën.

Si për Bejtullain ashtu edhe për Krasniqin, kjo sfidë është tejet e rëndësishme pasi përballen me ish-skuadrat e tyre. /Telegrafi/