Seriozisht në Evropian
Kosova do t’i hyjë shumë seriozisht Kampionatit Evropian të boksit, i cili do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm në Bullgari. Vendin tonë në këtë ngjarje do ta përfaqësojnë tre boksierë, përfshirë këtu edhe Armend Gjogjajn, i cili pati paraqitje të mira në Lojërat Evropiane “Baku 2015”, por shkaku i vendimeve të padrejta të gjyqtarëve, nuk arriti të fitojë medalje. Gjogjaj do të garojë në kategorinë 81 kg, kurse në kategorinë 91 kg do të boksojnë Pirro Çuni dhe Fisnik Muharremi.
Ndërkohë, Federata e Boksit e Kosovës (FboxK) duket se dëshiron medalje në këtë Evropian, andaj po mundohet t’i përgatitë sa më mirë këta boksierë. Shtëpia e boksit ka njoftuar se nga java e ardhshme të tre këta boksierë do t’i dërgojë në një kamp për përgatitje speciale.
“Këta boksierë nuk i kanë ndërprerë përgatitjet nëpër klubet e tyre, ku janë duke stërvitur nga dy herë në ditë. Nga 22 korriku e deri më 4 gusht do të kenë përgatitje të përbashkëta në Prizren”, thuhet në njoftimin e FboxK-së.
Sporti kosovar tashmë është ndërkombëtarizuar, andaj Kosova ka të drejtë pjesëmarrjeje edhe në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Por, u mbetet sportistëve kosovarë të fitojnë normë të pikëve nga garat e ndryshme ndërkombëtare, për t’u kualifikuar në Olimpiadë. Ndërkohë, Kampionati Evropian i boksit që mbahet në Bullgari është një mundësi mjaft e mirë.
Optimizmi për sukses nuk mungon as te përzgjedhësi, Xhevdet Peci, i cili para pak kohësh u pati larguar nga kjo pozitë, duke shprehur pakënaqësi me politikat e FboxK-së. Por, tashmë është kthyer, madje me një optimizëm të madh. “Ky Kampionat Evropian është i vlefshëm për tubimin e pikëve për Lojërat Olimpike dhe për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror. Gjashtë të parët shkojnë në Kampionatin Botëror në Katar, që mbahet në muajin tetor. Besojmë që nga këta boksierë do të përmbushin normën dhe do të tubojnë sa më shumë pikë për ‘Rio 2016’”, ka deklaruar Peci.
Kampionati Evropian i boksit do të zhvillohet në qytetin bullgar, Samakov, nga 5 deri më 14 gusht. Reprezentuesit kosovarë do të ushtrojnë deri një ditë para fillimit të garës. /Zëri/


