“Serbia po terrorizon votuesit serbë në Kosovë” - Islami përmend edhe sulmet ndaj Nenad Rashiq
Eksperti i sigurisë Avni Islami ka reaguar lidhur me zhvillimet politike në prag të zgjedhjeve në Kosovë, duke akuzuar Serbinë për ndërhyrje në proceset zgjedhore dhe institucionale në vend.
“Serbia po i terrorizon qytetarët serbë të Kosovës përmes Lista Serbe në këto zgjedhje”, ka deklaruar Islami.
Ai ka përmendur edhe deklarimet e Drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke i cilësuar ato si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.
“Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka rikonfirmuar edhe një herë tendencat destabilizuese të Serbisë në raport me Republikën e Kosovës, duke u përzier hapur në punët e brendshme të saj”, ka thënë ai.
Sipas Islamit, thirrjet për votim për Listën Serbe dhe presioni ndaj kundërshtarëve politikë përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor.
“Përmes thirrjeve drejtuar komunitetit serb në Kosovë për të votuar për Lista Serbe, si dhe përmes linçimit të kundërshtarëve politikë të këtij subjekti, Serbia po vazhdon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në proceset demokratike dhe institucionale të Republikës së Kosovës”, është shprehur Islami.
Ai ka përmendur edhe rastin e Nenad Rashiq, duke e lidhur me sulme ndaj rendit kushtetues të Kosovës.
“Sulmet e vazhdueshme ndaj Nenad Rashiq përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit tonë”, ka deklaruar Islami. /Telegrafi/


