Please enter at least 3 characters.

Sektori privat dhe “kthimi i tatimeve”

- Ndërmarrjet e Prizrenit dhe hallet e tyre me qeveritë lokale -

Cili është problemi kryesor i ndërmarrësve të Prizrenit? Ulja e heqja e tatimit apo kthimi i tatimit që ata paguajnë? Me fjalë të tjera, a janë ndërmarrësit më të interesuar që t’u ulen e t’u hiqen tatimet e ndryshme që ata paguajnë, apo që qeveria lokale të krijojë një sistem efektiv të kthimit të tatimeve përmes shërbimeve më të mira publike, infrastrukturë të përshtatshme, stimulimi i mjedisit të shëndosh për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes incentivave dhe stimulimeve të ndryshme. Unë për vete do ta zgjedhja opsionin e dytë, ngase është strategji afatgjatë e zhvillimit të NVM-ve të Prizrenit. Me këtë opsion, do të eliminoheshin edhe premtimet klasike të partive politike gjatë fushatave zgjedhore për “ulje” dhe “heqje” të tatimeve. Dhjetë vjet nga çlirimi i vendit dhe dy vjet nga pavarësia, kemi mbëritur në kulmin e tolerancës ndaj keqpërdorimit të tatimeve dhe lojës me fjalë mbi ulje e heqje tatimesh. Mentaliteti zhvilimor i shtetit duhet të bazohet në mekanizmin e kthimit efektiv të tatimit. Dhe këtu nuk po flas vetëm për bizneset, por edhe qytetarët dhe kategoritë tjera të tatimeve. Fundja, ja një pyetje direkte – pse një qytetar paguan tatime? Pse është i obliguar dhe shteti ia merr me zor? Përgjigjia e saktë është se tatimi shtetit i paguhet, në mënyrë ato mjete t’i kthehen qytetarëve në mirëqenie dhe shërbime publike. A po ndodh kjo në komunën e Prizrenit? Vështirë të thuhet po. Po bizneset, po përfitojnë diç në shkëmbim të rregullsisë dhe disiplinës së tyre në pagim të tatimeve? Përsëri, sipas vlerësimit tim, përgjigjia është më afër negatives. E tash, mendoj se ka ardhur momenti që komuniteti i biznesit ta thotë fjalën e vet dhe të jetë bartëse e artikulimit të kërkesës qytetare për “kthim të tatimeve”. Tatimin që qytetarët e paguajnë, qeveria lokale (por edhe ajo qendrorja) duhet t’ia kthejnë qytetarëve me më shumë ujë, hapësirë të gjelbërt, pastërti, me cilësi më të lartë në shëndetësi, arsim dhe me administratë publike më efikase.

Regjioni i Prizrenit historikisht është shquar për një traditë të mprehtë afariste dhe tregtare. Ky lloj i organizimit të sofistikuar ekonomik, shoqërisë prizrenase i ka sjell funksionalitet dhe harmoni jetese, bashkë me të mirat dhe begatitë e punës dhe afarizmit që bazohej në zanate, prodhimtari dhe kreativitet. Karakteristikat e afarizmit të Prizrenit kanë qenë devotshmëria ndaj punës dhe shërbimit dhe disiplina e meraku i rafinuar i afaristëve për të ofruar shërbime dhe të mira për tregun e vendit. Transicioni i mundimshëm ekonomik i Kosovës, gjatë dhjetë viteve të pas-luftës u tregua i pamëshirshëm ndaj mundësive dhe kushteve për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme të qytetit. Politikat e pafavorshme fiskale dëmtuan jo vetëm aftësinë shërbyese dhe prodhuese të bizneseve të Prizrenit, por ndikuan edhe në uljen e kapitalit social, bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë që i karakterizonte marrëdhëniet mes afaristëve të qytetit. Bizneset e vogla dhe të mesme të qytetit duhen ofruar hapësirë të gjerë veprimi, të përkrahur me politika dhe incentiva stimuluese për rrtjen e ofertës afariste dhe aftësisë operative të bizneseve. Shpirti i ndërmarrësisë duhet të rikthyer në filozofinë afariste të Prizrenit, ndërsa qyteti dhe fshatrat duhet të punojnë në ngritjen e ofertës turistike përmes mobilizimit të bizneseve të vogla dhe të mesme. Në veçanti duhet investuar në ringjalljen e zanateve të vejtra të qytetit dhe vazhdimin e një tradite në zhdukje të pordhimtarisë artizanale. Investimet e jashtme, bashkëpunimi ndër-sektorial, inkibatorët e biznesit, ulja dhe heqja e tatimeve janë parakushte për ngritjen dhe funksionalizimin e sektorit privat në Prizren. Themelimi i Agjencisë për Zhvillim Lokal Ekonomik dhe dizajnimi i politikave për promovim dhe zhvillim të bizneseve të vogla dhe të mesme duhet të jetë ndër projektet prioritare të qeverisë lokal të Prizrenit. Ky cikël i hapjes së qeverisë lokale ndaj sektorit privat duhet të promovojë edhe konsultimin permanent me shoqatat e bizneseve dhe pjesëmarrjen e tyre direkte në formulimin dhe zhvillimin e politikave për promovim të biznesit të vogël dhe të mesëm në komunë si dhe shfrytëzimin e kapitalit social të qytetarëve të Prizrenit për zhvillim të shëndoshë të biznesit dhe promovim i bizneseve familjare me model të kapitalit social. Ngritja e kapaciteteve të bizneseve të vogla dhe të mesme të qytetit është parakusht i formësimit dhe përmirësimit të ofertës turistike të qytetit. Ndërsa, promovimi i potencialit bujqësor, turistik dhe kulturor i Prizrenit për tërheqje të investimeve të jashtme. Vetëm në rast të realizimit të këtyre projekteve dhe paralelisht futjes së mentalitetit të “kthimit të tatimeve”, Prizreni mund ta gjallërojë sektorin privat, ta promovojë ndërmarrësinë dhe t’i llogarisë ndërmarrjes e vogla dhe të mesme si promotore dhe garantuese kryesore të zhvillimit lokal.

(Autori është kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)