Please enter at least 3 characters.

Sekondat që vlejnë miliona - Trump do t’u shesë investitorëve mesazhet para publikimit në rrjetet sociale

Kompania mediatike nën kontrollin e familjes Trump po përgatit një lëvizje të diskutueshme biznesi: shitjen e qasjes së hershme në postimet e presidentit amerikan Donald Trump në rrjetet sociale.

Ky hap do t'u japë investitorëve të mëdhenj institucionalë një avantazh prej disa milisekondash përpara se postimet që ndikojnë tregjet të bëhen të disponueshme për publikun.

Trump Media & Technology Group (TMTG) ka njoftuar krijimin e të ashtuquajturit "Truth API", një ndërfaqe programimi e projektuar për transmetim ultra të shpejtë të të dhënave mes sistemeve softuerike.

Ky mekanizëm synon drejtpërdrejt fondet e mëdha dhe kompanitë që bëjnë tregtim me frekuencë të lartë në bursë (High-Frequency Trading - HFT), të cilat kërkojnë njoftime të menjëhershme për vendimet dhe deklaratat e presidentit amerikan.

TMTG, që menaxhon platformën Truth Social, ku Donald Trump ka rreth 12.9 milionë ndjekës, e quan këtë projekt një "zgjerim komercial". Drejtori i përkohshëm ekzekutiv Kevin McGurn deklaroi se iniciativa synon të "monetizojë asetet pronësore" të kompanisë.

Kompania konfirmoi se abonentët e këtij shërbimi do t'i marrin postimet disa milisekonda përpara publikimit të tyre. Në botën e tregtimit algoritmik, ku çdo pjesë e sekondës mund të vlejë miliona dollarë, ky avantazh konsiderohet jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Postimet e Trumpit mbi konfliktet gjeopolitike ose kompanitë e listuara në bursë kanë shkaktuar edhe më parë lëvizje të menjëhershme të tregjeve, duke ndryshuar vlerën e aseteve me miliarda dollarë, shkruan nbcnews.

Si shembull për ndikimin e këtyre postimeve, kompania përmend një rast nga marsi i këtij viti, kur në tregun e naftës u regjistruan transaksione me vlerë 500 milionë dollarë vetëm 15 minuta para publikimit të një postimi të Trumpit mbi bisedimet diplomatike me Iranin. Pas publikimit, çmimet e naftës ranë ndjeshëm dhe tregjet përjetuan luhatje të mëdha.

Sipas TMTG-së, shërbimi i ri do të eliminojë "joefikasitetin e tregut", pasi deri tani kompanitë janë detyruar të monitorojnë manualisht postimet e rëndësishme, ndërsa sistemi i ri do t'u ofrojë klientëve me pagesë qasje të menjëhershme dhe të verifikuar.

Lëshimi komercial i këtij shërbimi është planifikuar për gusht, ndërsa TMTG ka bërë të ditur se disa klientë institucionalë tashmë kanë rezervuar shërbimin. Çmimet e abonimit nuk janë bërë publike.

Ky projekt vjen në një kohë kur kompania përballet me vështirësi financiare. TMTG raportoi një humbje neto prej 405 milionë dollarësh në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me 31 milionë dollarë humbje në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, kompania po shqyrton një riorganizim strukturor përpara një bashkimi të planifikuar me vlerë 6 miliardë dollarë me kompaninë e energjisë së fuzionit TAE Technologies, e mbështetur nga Google. /Telegrafi/