Please enter at least 3 characters.

Sanksionet e Uashingtonit ndaj Iranit kanë problemin kinez dhe rus

Ilustrim
Linas Garsys / The Washington Times

Masat janë të padobishme nëse nuk i ndërpresim linjat jetike të Pekinit dhe Moskës.

Nga: Michele Kernitsky / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi të hënën Operacionin Përjashtimi Ekonomik [Economic Outcast], duke premtuar se masat e reja kundër Iranit do të rezultojnë në izolimin e paprecedentë të tij ekonomik.

Këto masa të vendosura teksa vazhdon bllokada detare amerikane e porteve iraniane, janë më të fundit në një seri paketash sanksionesh që synojnë të thyejnë vullnetin e Teheranit.

Megjithatë, në vend që të kapitullonin, udhëheqësit e Iranit u janë përgjigjur me sfidë përcaktimeve të mëparshme. Nëse Uashingtoni nuk e ndërpret ose nuk e pengon linjën jetike ekonomike që Pekini dhe Moska po i sigurojnë Teheranit, ka pak arsye për të menduar se ky raund sanksionesh do të japë rezultate më të mira.

Pekini dhe Moska janë bërë heshtazi dy mbështetësit më të mëdhenj të mbijetesës ekonomike të Iranit dhe asnjëri nuk tregon shenja se do të ndalet.

Ky është problemi qendror me politikën e ShBA-së ndaj Iranit: sanksionet janë mjet për ta izoluar një vend nga ekonomia globale, por ato funksionojnë vetëm nëse objektivi izolohet vërtet. Irani nuk është. Ai është pjesë e një sistemi paralel ekonomik që Kina e ka ndërtuar dhe Rusia e ka përforcuar.

Derisa politika e ShBA-së ta marrë drejtpërdrejt në shënjestër atë arkitekturë, përcaktimet e fundit (dhe raundet e ardhshme) do të vazhdojnë të zhgënjejnë.

Kina mbetet partneri më i madh tregtar i Iranit dhe marrëdhënia është dëshmuar jashtëzakonisht e qëndrueshme. Prej vitesh, rafineritë kineze të “çajnikut” - rafineri të vogla nafte në pronësi private - kanë blerë sasi të mëdha nafte bruto iraniane, të transportuara nga një flotë në hije që i ka mbajtur të larta vëllimet e eksporteve pavarësisht sanksioneve.

Vitin e kaluar, më shumë se 80 për qind e eksporteve të naftës së Iranit shkuan në Kinë, duke i sjellë regjimit të Iranit rreth 31 miliardë dollarë. Në këmbim të shitjes së naftës me zbritje nga Teherani, Pekini siguron mallra, teknologji dhe investime në infrastrukturë.

Bllokada detare amerikane e porteve iraniane e ka ndërprerë këtë rrjedhë nafte drejt Kinës, por gjatë pauzës njëmujore të bllokadës, nga mesi i qershorit deri në mesin e korrikut, Irani dërgoi në Kinë më shumë se 60 cisterna që transportonin eksporte nafte me vlerë rreth gjashtë miliardë dollarë.

Në themel të lidhjeve ekonomike të Kinës me Iranin janë sistemet e pagesave dhe të kleringut që ka krijuar Pekini. Këto janë të izoluara nga sistemi financiar perëndimor, duke u mundësuar subjekteve kineze të kryejnë transaksione me Iranin, Korenë e Veriut, Rusinë dhe shtete të tjera nën sanksione pa përdorur infrastrukturën e dollarit amerikan.

Kjo është arsyeja pse sanksionimi veçmas i zyrave të këmbimit dhe kompanive guaskë nuk ka arritur ta ndryshojë sjelljen e Iranit.

Rusia, përkundrazi, e mbështet ekonominë e Iranit duke ndihmuar në financimin e arkitekturës së gjerë për shmangien e sanksioneve - e cila përfshin kanale alternative pagesash, transport detar nën flamuj tjerë dhe mënyra alternative për sigurimet - nga e cila varet Irani.

Kjo mbështetje po lëkundej para luftës, kur Irani i rriti çmimet e energjisë duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit - një veprim që i mundësoi Kremlinit t’i rimbushte arkat e tij. Në shkurt, të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës ishin më pak se 10 miliardë dollarë - niveli më i ulët që nga kriza e pandemisë - dhe Kremlini po përgatitej për një shkurtim prej 10 përqind të shpenzimeve që nuk lidhen me sigurinë.

Lufta me Iranin e përmbysi atë prirje pothuajse brenda natës. Një institut kërkimor evropian tani vlerëson se Rusia mund të marrë deri në 252 miliardë dollarë më shumë të ardhura nga eksportet këtë vit krahasuar me vitin e kaluar, për shkak të çrregullimeve në tregjet globale të energjisë të shkaktuara nga lufta me Iranin.

Një Rusi në gjendje të mirë fiskale është mbështetëse më e efektshme e ekosistemit të shmangies së sanksioneve, i cili është vendimtar për mbijetesën e regjimit iranian.

Nëse qëllimi i Uashingtonit është të ndryshojë sjelljen e Teheranit, politika e ShBA-së duhet të vërë në shënjestër sistemin financiar dhe logjistik që i mundëson Iranit të veprojë përtej shtrirjes së zbatimit të masave nga Perëndimi.

Së pari, vënia në shënjestër e institucioneve financiare kineze që kryejnë kleringun e transaksioneve do të jetë më e efektshme në pengimin e flukseve financiare ndërmjet Iranit dhe partnerëve të tij sesa sanksionimi i zyrave të veçanta të këmbimit dhe ndërmjetësve të transportit detar. Së dyti, mundësia që sanksionet ndaj rafinerive dhe kompanive të sigurimit të zbatohen vazhdimisht - dhe jo në mënyrë sporadike - do të ketë më shumë gjasa të ndryshojë përllogaritjen e rrezikut nga klientët e Iranit.

Së treti, mbështetja e përpjekjeve në Kongres për sanksione më të ashpra ndaj energjisë dhe financave ruse, si efekt anësor, do t’i kufizonte të njëjtat kanale që përdor Irani. Kjo sepse vendet më të ekspozuara ndaj presionit dytësor për shkak të tregtisë me Rusinë, si Kina dhe India, janë gjithashtu ato që mundësojnë eksportet iraniane.

Ekonomia e Iranit ka mbijetuar jo sepse sanksionet e ShBA-së janë të pafuqishme, por sepse Irani nuk mbështetet më vetëm në sistemin për të cilin këto sanksione janë krijuar për ta mbikëqyrur. Zgjidhja e këtij problemi kërkon që Uashingtoni ta trajtojë infrastrukturën financiare të Pekinit dhe Moskës - jo kompanitë guaskë të Teheranit - si objektivin e vërtetë. /Telegrafi/