Samadrexha fiton finalen e tretë, kthehet në garë për titull
Samadrexha është kthyer në garë për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Samadrexha e ka fituar finalen e tretë të play-offit. Të enjten mbrëma në arenën "Afrim Bunjaku" në Samadrexhë, skuadra vendase e mposhti Shqiponjën e Gjakovës me rezultat 29:23.
Rezultati tani është 2:1 në të mirë të Shqiponjës, të cilës i duhet edhe një fitore për t'u shpallur kampione. Ndeshja e katërt luhet në fundjavë në Gjakovë.
Samadrexha ishte shumicën e kohës në epërsi. Mysafiret barazuan disa herë në pjesën e parë, por pa kaluar në epërsi. 14:11 ishte rezultati pas pjesës së parë.
Në të dytën epërsia e skuadrës samadrexhase u rrit edhe më shumë, ndonëse mysafiret nuk u dorëzuan duke e bërë sfidën interesante.
Vitoria Oliveira ishte më efikasja te Samadrexha me 11 gola. Shtatë i realizoi Arona Krasniqi.
Te Shqiponja, Alma Nivokazi i kishte tetë gola. Pesë i shënoi Ana Carolini Gonçalves./Telegrafi/


