Sahiti: Vitia po shndërrohet në qendër ndërkombëtare të kulturës dhe rinisë - katër ngjarje të mëdha priten gjatë verës
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vitisë, Valmir Sahiti, ka bërë të ditur se gjatë muajve korrik dhe gusht, Vitia do të jetë nikoqire e katër ngjarjeve të rëndësishme me karakter ndërkombëtar, të cilat pritet të mbledhin artistë, të rinj dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Përmes një postimi në Facebook, Sahiti tha se Vitia tashmë është shndërruar në një qendër të rëndësishme kulturore dhe rinore, duke theksuar se organizimi i këtyre aktiviteteve po e vendos komunën në hartën e ngjarjeve ndërkombëtare.
“Vitia tashmë është shndërruar në një qendër të rëndësishme kulturore dhe rinore me karakter ndërkombëtar”, ka shkruar Sahiti.
Sipas tij, gjatë sezonit veror në qytetin e Vitisë do të organizohen Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike “Nexus 2026”, Festivali Ndërkombëtar “N’Karadak Krisin Tupanat”, Festivali Ndërkombëtar “Fest Folk Anamorava 2026”, si dhe Samiti Botëror i të Rinjve, me pjesëmarrës nga mbarë bota.
“Gjatë muajve korrik dhe gusht, Qyteti i Vitisë do të jetë mikpritës i katër ngjarjeve madhore që do të sjellin në Viti artistë, të rinj dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës”, ka theksuar ai.
Drejtori i Kulturës vlerësoi se këto aktivitete dëshmojnë potencialin dhe zhvillimin kulturor të komunës.
“Këto aktivitete janë dëshmi e potencialit, mikpritjes dhe zhvillimit kulturor që po e karakterizon Komuna e Vitisë, duke e vendosur atë gjithnjë e më shumë në hartën e ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare”, ka deklaruar Sahiti.
Sipas tij, organizimi i festivaleve dhe samiteve me pjesëmarrje ndërkombëtare përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e Vitisë, kulturës lokale dhe angazhimit të të rinjve në aktivitete me karakter global. /Telegrafi/


