Please enter at least 3 characters.

Sacha Baron Cohen trondit me transformimin fizik, thotë me shaka se ka përdorur 'Ozempic'

Aktori i njohur britanik, Sacha Baron Cohen, më i famshëm për rolet e tij komike si Borat dhe Ali G, ka habitur publikun me një transformim të jashtëzakonshëm fizik. 53-vjeçari ka zbuluar fizikun e tij të tonifikuar në kopertinën e revistës Men’s Fitness UK, duke ndarë edhe foto në Instagram me një koment plot humor:

“Disa të famshëm përdorin Ozempic, disa kuzhinierë privatë, e disa trajnerë personalë. Unë përdora të treja”, ka shkruar ai.

“Kjo nuk është inteligjencë artificiale. Jam mjaft egoist sa ta bëj këtë realitet. Po prezantoj personazhin tim të ri: një burrë i moshës së mesme që ka ndërruar birrën me protein shake”.

Cohen gjithashtu falënderoi trajnerin e tij personal, Alfonso Moretti, i njohur si The Angry Trainer, për durimin që tregoi gjatë 25 minutave stërvitje në ditë.

Pas këtij transformimi që bëri bujë, qëndron një arsye profesionale: Marvel Studios e ka përzgjedhur Cohen për rolin e super-keqbërësit infernal Mephisto, në serinë e re të Disney+, Ironheart. Për t’u përgatitur për këtë rol, Cohen, i cili së fundi konfirmoi ndarjen nga aktorja Isla Fisher, kërkoi ndihmën e një eksperti të njohur të fitnesit.

“E thirra Matthew McConaughey për ndihmë”, ka treguar Cohen me ironi. “Pasi më pyeti kush jam dhe si e mora numrin, më dha kontaktin e Alfonsos”.

Trajneri Moretti kishte vetëm tre javë kohë për ta sjellë aktorin në formë, duke kërkuar përkushtim maksimal. Plani përfshinte 25 minuta ushtrime çdo ditë, madje edhe gjatë pushimeve të xhirimeve.

“Fitnesi është si kursimi”, ka thënë Moretti. “Nuk ka të bëjë me faktin që investon 1000 njëherësh, por që çdo ditë kursen nga një dollar”.

Plani i Cohen përfshinte 100 pompa në ditë, një dietë me pak sheqer, të pasur me fibra dhe proteina, nën udhëheqjen e Morettit përmes video-thirrjeve dhe aplikacioneve.

“Sinqerisht, Sacha nuk ishte jashtë forme. Por vizualisht nuk dukej ‘fit’,” zbulon trajneri. “Madje studio kishte menduar të përdorte muskuj prostetikë për të. Ai kishte një bazë të mirë, si një atlet i fshehur, por afati ishte jashtëzakonisht i shkurtër”.

Sipas presidentit të Marvel Studios, Kevin Feige, personazhi i Mephistos pritet të ketë një të ardhme të ndritshme në universin filmik të Marvelit.

“Ai është një personazh që ka qenë i vështirë për t’u realizuar më parë. Ai është djalli. Ka qenë pjesë kyçe në historinë e Thanos në komikë. Tani që është këtu, potenciali është i qartë,” ka deklaruar Feige.

Kjo do të thotë që Sacha Baron Cohen nuk do të mund të lëshojë pe me stërvitjet – forma e tij fizike është tashmë pjesë e Marvelit. /Telegrafi/