Please enter at least 3 characters.

Sa ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë?

Media e pavarur ruse, Mediazona dhe shërbimi rus i BBC-së kanë publikuar se deri tani kanë konfirmuar identitetet e 225.019 ushtarëve rusë të vrarë në luftën kundër Ukrainës.

Që nga publikimi i fundit në fund të muajit maj, në listë janë shtuar edhe 3813 ushtarë rusë të vrarë.

Gazetarët theksojnë se të dhënat e tyre bazohen vetëm në burime të hapura, përfshirë nekrologjitë, njoftimet e familjarëve, raportimet e mediave lokale dhe deklaratat zyrtare të autoriteteve rajonale.

Për këtë arsye, ata paralajmërojnë se numri real i të vrarëve është me shumë gjasë dukshëm më i lartë se ai i konfirmuar.

Sipas të dhënave të tyre, mes të vrarëve të identifikuar gjenden mbi 82400 vullnetarë, rreth 25400 të burgosur të rekrutuar për luftë dhe afërsisht 19 mijë ushtarë të mobilizuar. Është konfirmuar gjithashtu vdekja e 7226 oficerëve.

Kyiv Independent thekson se nuk mund t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto të dhëna.

Vlerësimet perëndimore të muajve të fundit në përgjithësi arrijnë në përfundimin se humbjet ruse janë dukshëm më të mëdha se ato ukrainase.

Qendra amerikane për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerësoi në fillim të vitit se humbjet ruse janë mes dy dhe dy herë e gjysmë më të larta se ato ukrainase.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky më herët ka deklaruar se raporti i të vrarëve është afërsisht një ushtar ukrainas për pesë deri në gjashtë ushtarë rusë.

Drejtoresha e shërbimit britanik të inteligjencës, sigurisë dhe kibernetikës GCHQ, Anne Keast-Butler, deklaroi në fund të majit se që nga fillimi i pushtimit total janë vrarë pothuajse 500 mijë ushtarë rusë.

Mediazona dhe Meduza publikuan në fillim të majit një vlerësim të tyre sipas të cilit që nga shkurti 2022 janë vrarë rreth 352 mijë burra rusë të moshës 18 deri 59 vjeç.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës vlerëson se Rusia që nga fillimi i luftës ka humbur rreth 1.380.120 ushtarë. Kjo shifër përfshin të vrarë, të plagosur, të zhdukur dhe të zënë rob.

Ndryshe, autoritetet ruse që nga fillimi i luftës refuzojnë të publikojnë të dhëna zyrtare për humbjet ushtarake. /Telegrafi/