Please enter at least 3 characters.

Rudi Garcia sulmon FIFA-n: Ky është një precedent i rrezikshëm për futbollin

Trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, ka reaguar ashpër ndaj FIFA-s pas vendimit për të lejuar Folarin Balogun të luajë në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Belgjikës, pavarësisht kartonit të kuq që sulmuesi amerikan mori në sfidën e kaluar.

Balogun u përjashtua nga fusha në fitoren 2-0 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, pasi arbitri, pas rishikimit të VAR-it, i tregoi karton të kuq direkt për një ndërhyrje ndaj Tarik Muharemovic. Sipas rregullave të zakonshme, sulmuesi duhej të mungonte automatikisht në ndeshjen e ardhshme.

Megjithatë, FIFA vendosi të aktivizojë Nenin 27 të Kodit të saj Disiplinor, duke pezulluar me kusht dënimin për një periudhë njëvjeçare. Kjo do të thotë se Balogun do të jetë i disponueshëm për sfidën ndaj Belgjikës, ndërsa pezullimi do të hyjë në fuqi vetëm nëse ai kryen një shkelje të ngjashme gjatë kësaj periudhe.

Vendimi ka shkaktuar zemërim në kampin belg. Në konferencën për shtyp në Seattle, Garcia reagoi me ironi: “Nuk e dija që ishte 1 prilli dita e gënjeshtrave më 5 korrik në Kupën e Botës”, tha Garcia me ironi.

Trajneri belg theksoi se reagimi i federatës së tij nuk lidhet vetëm me interesat e Belgjikës, por me parimet e futbollit.

“Ne nuk po mbrojmë ekipin kombëtar apo federatën. Ne po mbrojmë futbollin, integritetin dhe etikën e tij”, deklaroi ai.

Garcia shtoi se, sipas tij, ky është një vendim i paprecedentë në historinë e Kampionatit Botëror. Edhe Federata Belge e Futbollit reagoi përmes një komunikate, duke u shprehur e “habititur” nga veprimi i FIFA-s dhe duke iu referuar Nenit 66.4 të Kodit Disiplinor, i cili parashikon se një karton i kuq direkt sjell automatikisht pezullimin për ndeshjen e radhës.

"Mendoj se kjo është hera e parë në historinë e Kupës së Botës që merret një vendim i tillë", tha Garcia.

Belgjika ka bërë të ditur gjithashtu se po shqyrton të gjitha opsionet e mundshme për të mbrojtur të drejtat e ekipeve kombëtare dhe parimin e lojës së drejtë, ndërsa çështja Balogun pritet të vazhdojë të ngjallë debate të mëdha në prag të duelit mes Belgjikës dhe SHBA-së. /Telegrafi/