Rritje dramatike e çmimeve të veturave - gjithçka filloi me pandeminë e coronavirusit
Çmimet e veturave të vogla janë rritur me 34 për qind midis viteve 2018 dhe 2024, ndërsa në segmentin e makinave kompakte inflacioni ka arritur deri në 36 për qind, ka konstatuar kompania konsulente Jato, duke studiuar tregjet gjermane, franceze, italiane dhe britanike.
Rritjet më të mëdha të çmimeve kanë ndodhur gjatë viteve të coronavirusit, nga 2020 deri në 2022 (kujtoni mungesën e çipave dhe zvogëlimin e prodhimit).
Një nga shtytësit e çmimeve është dashuria e vazhdueshme e tregut për SUV-të. Për crossoverat, blerësit paguajnë tani mesatarisht rreth 7700 euro më shumë se për një limuzinë klasike me madhësi të ngjashme. Në vitin 2018, diferenca ishte 2000 euro.
Faktori tjetër është elektrifikimi. Veturat elektrike zakonisht janë më të shtrenjta se motorët me djegie të brendshme me të cilët krahasohen dhe kështu kontribuojnë në rritjen e përgjithshme të çmimeve mesatare.
Sidomos në segmentin e automobilave të vogla dhe kompakte, numri në rritje i modeleve elektrike ka përshpejtuar trendin e inflacionit, pasi prodhuesit zakonisht i sjellin ato në treg me pajisje më cilësore.
Ekspertët fenomene inflacionin në industrinë e automobilave e quajnë migrim çmimesh. Sipas tyre, modelet më të lira tani kushtojnë sa variantet më të shtrenjta disa vjet më parë.
Automjetet klasike të vogla, për shembull, sot janë në nivelin e SUV-ve të vegjël të viteve 2018 dhe 2019. Sipas studimit, kjo tregon që tregu po ndryshon thelbësisht: veturat e vogla, që dikur mendoheshin si opsion fillestar i lirë, tani kanë arritur nivelin e makinave të klasës më të lartë më parë. /Telegrafi/


