Roma dhe Zaniolo gjobiten për brohoritjet anti-Lazio
01/08/2022
Roma dhe Nicolo Zaniolo janë gjobitur me 4.000 euro për thirrjet ofenduese të drejtuara ndaj Lazios gjatë festimeve për triumfin në Ligën e Konferencës.
Incidenti ishte kapur nga kamerat gjatë paradës së autobusit me kulm të hapur nëpër rrugët e kryeqytetit italian kur Giallorossët e fituan trofeun evropian.
Zaniolo i kishte nisur brohoritjet ofenduese kundrejt rivalit lokal që u përkeqësuan nga fakti se e bëri me mikrofon dhe dëgjohej qartë.
Avokatët e Romës nuk e kundërshtuan akuzën, përkundrazi bënë një marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Kjo do të thotë se Zaniolo dhe Roma do të gjobiten me 4.000 euro që do t’i jepen një organizate bamirësie të lidhur me futbollin. /Telegrafi/


