Please enter at least 3 characters.

“Rock për Rock” tejkalon sfidat me tetë bende, nis nesër

2016/01/rock.jpg

Tetë bende të muzikës rock, të enjten mbrëma, do të garojnë për vendin e parë. “Beteja” edhe kësaj radhe do të zërë vend në skenën e teatrit “Oda”.

Koncerti tradicional “Rock për Rock” këtë vit organizon edicionin katërmbëdhjetë dhe do të sjellë bende nga Kosova e Shqipëria. Nga Prishtina vijnë bendet “Krieg”, “Frisson”, “Under”, “Mona Kthiza” e “Kjon”. Dy të tjerë “Dim7” dhe “Fart&Scream” janë nga Mitrovica, ndërsa Tiranën e përfaqëson bendi, “Centralized”. Në koncert ka vend edhe për fituesin e edicionit të kaluar “Indigos”.

Më shumë se një muaj, ka qenë afati që bendet të konkurrojnë për t’iu futur garës duke plotësuar kriteret. Dy kompozime origjinale, një incizim demo dhe interpretimi live, kanë qenë kushtet për të dalë në skenën e “Rock për Rock”.

Me gjithë faktin e garës ia kishin mënyrë edhe bende nga Maqedonia e Dubai, sipas organizatorëve vështirësitë financiare e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e tyre.

“Ka pasur interesim të madh nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Vitin e kaluar madje ka marrë pjesë një grup maqedonas. Këtë vit nuk kemi pranuar asnjë grup nga Maqedonia për shkak të mungesës së buxhetit”, ka thënë Shkelzen Veseli, një prej organizatorëve të këtij koncerti. Ai ka thënë se këtë vit gara është e fortë. “Kemi grupe që kanë konkurruar edhe vitin e kaluar, por mendoj se gara këtë vit është shumë fortë”, ka thënë Veseli.

Koncertin tradicional, të vetmin të këtij lloji të muzikës rock në Kosovë, e ka prekur shkurtimi buxhetor që ka bërë Ministria e Kulturës për skenën e pavarur kulturore. Përderisa vitin e kaluar në koncert ishte mbështetur me 2 mijë euro, sivjet ka marrë 500 euro më pak. Mungesa e fondeve të mjaftueshme ka bërë që edhe këtë vit të mos ketë ndonjë mysafir special.

“Kemi hasur vetëm në ndihmë të miqve të cilët për ne i kanë kryer disa shërbime”, ka thënë Veseli. Por me gjithë vështirësitë e këtilla që dalin përpara, ai ka thënë se “Rock për Rock” nuk do ta ndalë rrugëtimin.

“Sa të ketë bende dhe interesim, do të jemi edhe ne”, ka thënë me ngulm Veseli. Ai dhe kolegë të tij e mbajnë gjallë këtë festival falë entuziazmit dhe dashurisë që kanë për muzikën rock. Veseli ka thënë se “Rock për Rock” u ka mundësuar të rinjve që të marrin pjesë në gara ku këndohet live.

“Qëllimi ynë është që ta mbajmë gjallë muzikën rock”, ka thënë Veseli. Ani pse në festival koncert do të lindte si një ide mes miqsh, sot është njëra prej hapësirave të vetme ku mund të dalin në skenë talentet e reja.

“Për katërmbëdhjetë vite me radhë u kemi mundësuar të rinjve që të jenë pjesë e garës. Ka pasur vite kur u kemi falur kitara, mikrofonë, pjesë të tupanëve. Më pas nga një audio incizim falas, e po ashtu edhe spote janë bërë. Në këtë formë ne jemi munduar që t’i përkrahim në këtë formë pa bërë harxhime”, ka thënë Veseli.

Fakti që për çdo vit ky koncert mesatarisht bën bashkë 10 grupe në skenë, sipas Veselit, nuk është pak.

/Telgrafi/