Please enter at least 3 characters.

Robelli: Qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet, Kosova po hyn në një periudhë të pasigurt

Gazetari dhe analisti Enver Robelli ka komentuar procesin e fundit zgjedhor në Kosovë, duke vlerësuar se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta, ndërsa vendi po përballet me një sërë sfidash politike dhe institucionale.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Robelli tha se ende duhet pritur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, pasi sipas tij, anketat dhe exit-pollet nuk rezultojnë gjithmonë të sakta.

“Duhet të presim shpalljen e rezultatit përfundimtar që do e bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga përvoja e dimë që anketat, exit pollet etj. - nuk janë përherë të sakta. Ende nuk janë numëruar votat që kanë ardhur me postë. Janë vota kryesisht nga mërgata. Dhe janë mbi 100 mijë vota”, ka shkruar ai.

Sipas Robellit, një nga mesazhet kryesore të këtyre zgjedhjeve është lodhja e elektoratit nga proceset e njëpasnjëshme zgjedhore.

“Brenda 16 muajve Kosova ka votuar tri herë në nivel nacional. Plus njëherë në zgjedhje lokale, shto këtyre edhe balotazhin. I bie që qytetarët kanë qenë të ftuar pesë herë për të votuar brenda më pak se një viti e gjysmë”, ka theksuar ai.

Ai ka vlerësuar se shumë qytetarë kanë zgjedhur të largohen për fundjavë në ditët e votimit, duke e cilësuar këtë fenomen si “votim me këmbë”.

Duke analizuar rezultatin e partive politike, Robelli tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar një rritje të respektueshme, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë ruajtur ose përmirësuar lehtë bazën e tyre elektorale.

“PDK dhe AAK ruajnë apo përmirësojnë minimalisht bazën e tyre elektorale. Kjo mund të quhet sukses”, ka shkruar ai.

Sa i përket fushatës zgjedhore, ai e ka cilësuar atë si monotone dhe pa ide të reja.

“Ishte një fushatë monotone. Pa pothuaj asnjë ide të re. Me përsëritje të premtimeve të dhjetorit të vitit të kaluar, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Fushata u dominua më shumë me sulme të ndërsjella personale dhe me banalitete”, ka vlerësuar Robelli.

Ai ka theksuar se pas zgjedhjeve mbetet e paqartë nëse partia e parë do të arrijë të formojë qeverinë, duke nënvizuar se për zgjedhjen e presidentit ose presidentes do të jetë i domosdoshëm një kompromis ndërmjet partive politike.

“Sërish shtrohet domosdoshmëria për kompromis për një president a presidente që është i/e denjë për këtë post. Asnjë parti politike dhe asnjë politikan nuk ka arsye për eufori”, ka deklaruar ai.

Robelli ka paralajmëruar se Kosova po hyn në një periudhë të pasigurt, duke renditur disa nga sfidat kryesore me të cilat pritet të përballet vendi në muajt në vijim.

“Kosova gjendet para një periudhe të pasigurt”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ndër çështjet kryesore janë aktgjykimi i pritshëm në procesin kundër ish-krerëve të luftës në Hagë, stagnimi i dialogut me Serbinë, obligimet e Kosovës lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, politika e jashtme, investimet në sektorin e energjisë dhe nevoja për më shumë llogaridhënie në qeverisje.

Në fund, Robelli ka bërë thirrje për më shumë profesionalizëm dhe më pak protagonizëm në politikë.

“Politika e suksesshme bëhet me punë sistematike, me frenim total të egos dhe mbi të gjitha me profesionalizëm”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/