Rikthehet memoria DDR3 - DDR4 RAM-i është shumë i shtrenjtë
Memoria RAM DDR3, e cila konsiderohej e vjetruar, po përjeton një rikthim të papritur në treg, kryesisht për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të memorieve më moderne.
Sipas raportimeve nga TechSpot, çmimet e DDR5 dhe tani edhe të DDR4 po rriten, duke detyruar përdoruesit të kthehen tek zgjidhjet më të vjetra dhe më të lira.
Interesim i veçantë është vënë re në tregun aziatik, ku po shfaqen pllaka amë Intel X99 të modifikuara, të cilat mbështesin memorien DDR3, edhe pse fillimisht ishin projektuar për DDR4.
Këto pllaka lejojnë përdorimin e moduleve ECC DDR3 me kapacitete deri në 256 GB, gjë që i bën ato tërheqëse për përdoruesit që kanë nevojë për shumë RAM me kosto më të ulët.
Sipas të dhënave të disponueshme, kërkesa për komponentë DDR3 është rritur nga 100 deri në 200 për qind gjatë vitit të kaluar.
Arsyet kryesore janë çmimet e larta të standardeve më të reja dhe fakti që prodhuesit po zvogëlojnë prodhimin e moduleve DDR4, duke iu fokusuar DDR5, i cili është më fitimprurës dhe përdoret në kompjuterë modernë dhe qendra të të dhënave.
Edhe vetë DDR4, i cili më parë konsiderohej një “zgjedhje e arsyeshme” midis teknologjive të vjetra dhe të reja, po përballet me rritje çmimesh.
Kjo e bën më të vështirë për përdoruesit të vendosin për një përmirësim të sistemit, pasi ndryshimi në performancë midis DDR4 dhe DDR5 shpeshherë nuk justifikon koston shtesë të lartë. /Telegrafi/


