Retinopatia diabetike si sëmundja më e shpeshtë e retinës në Kosovë? Flet Muhamet Zekolli
Retinopatia diabetike është një nga ndërlikimet më serioze që diabeti mund të shkaktojë në sy, duke prekur retinën dhe duke rrezikuar shikimin nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet me kohë.
Për këtë temë ka folur Muhamet Zekolli, kirurg vitreoretinal, në episodin e 86-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga Qendra Laserike e Syrit "Kubati" dhe United Hospital.
Në këtë episod u diskutua për shëndetin e syve, sëmundjet e retinës, trupin qelqor, kontrollet e rregullta dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
I pyetur se cila është sëmundja më e shpeshtë e retinës në Kosovë, Zekolli tha se bëhet fjalë për retinopatinë diabetike.
“Definitivisht retinopatia diabetike”, u shpreh ai.
Sipas tij, kjo patologji lidhet drejtpërdrejt me diabetin dhe haset më shpesh krahasuar me sëmundjet e tjera të retinës në vend.
Duke folur për diabetin, Zekolli tha se numri i personave me këtë sëmundje është duke u rritur në mënyrë progresive në nivel global.
“E keqja është që është duke u rritur numri i personave me diabet në mënyrë progresive”, tha ai.
Kirurgu vitreoretinal shpjegoi se, sipas studimeve të ndryshme, rreth 27 deri në 30 për qind e personave me diabet kanë prekje të retinës.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


