Please enter at least 3 characters.

Retinoli për zonën e qafës dhe dekoltesë: Po apo jo?

shutterstock

Ekspertët shpjegojnë përfitimet, rreziqet dhe mënyrën e saktë të përdorimit të këtij përbërësi kundër plakjes në zonat më të ndjeshme të trupit

As rrudhat në fytyrë, as lëshimi i fytyrës nuk e tregojnë plakjen aq fort dhe qartë sa vijat e para në bazën e qafës apo në dekolte. Diku nga fundi i të dyzetave apo fillimi i të pesëdhjetave, teksa jeni krenare për rutinën tuaj anti-age dhe përballeni me menopauzën, një gjë bëhet e pashmangshme: do të vini re rrudhat në këtë zonë. Dhe e dini tashmë zgjidhjen më të rekomanduar: retinoli. Ai është “ilaçi i artë” për lëkurën që tregon shenja plakjeje! Por, e dini gjithashtu që është përbërës agresiv, ndërsa lëkura e kësaj zone është e ndjeshme… Pikërisht në këtë dilemë gjendemi, prandaj kërkuam përgjigje: a duhet përdorur retinoli në zonën e qafës dhe dekoltesë?

Përfitimet e përdorimit të retinolit në qafë dhe dekolte

Lëkura e qafës dhe dekoltesë është më e hollë, më e brishtë, më e ndjeshme dhe me më pak gjëndra dhjamore. Për këtë arsye, ajo shfaq më shpejt shenja plakjeje si lëshimi, humbja e elasticitetit dhe rrudhat. Pikërisht këtu dermatologët rekomandojnë retinolin, falë fuqisë së tij për të nxitur sintezën e kolagjenit, për të forcuar dhe ngritur lëkurën.

Përveçse përmirëson qëndrueshmërinë, retinoli është i efektshëm edhe në zbehjen e pigmentimeve. Lëkura e qafës dhe dekoltesë është shpesh e ekspozuar ndaj diellit dhe rrezeve UV, ndaj shfaq njolla dhe ton të pabarabartë. Retinoli përshpejton rigjenerimin e qelizave dhe ndihmon në zbardhjen e njollave, duke bërë që toni i lëkurës të unifikohet.

Një tjetër përfitim është përmirësimi i teksturës: me përdorim të rregullt, lëkura bëhet më e lëmuar, reduktohet ashpërsia dhe duket më e freskët e e kujdesur. Gjithashtu, në kombinim me mbrojtjen e rregullt nga dielli, retinoli ka efekt parandalues, duke ngadalësuar degradimin e mëtejshëm të kolagjenit dhe elastinës, transmeton Telegrafi.

Rreziqet e përdorimit të retinolit në qafë dhe dekolte

Po këto tipare të lëkurës, ndjeshmëria, hollësia dhe mungesa e gjëndrave dhjamore, paraqesin edhe sfidë. Retinoli në këtë zonë më lehtë shkakton skuqje, thatësi dhe lëkurë që çahet.

Një tjetër problem është dozimi i tepërt: nëse përdoret në përqendrime të larta ose shumë shpesh, mund të çojë në irritim të fortë dhe dëmtim të barrierës së lëkurës. Retinoli rrit gjithashtu ndjeshmërinë ndaj diellit, pa krem mbrojtës (SPF), ekziston rreziku për djegie, skuqje apo dëmtime të reja.

Duhet theksuar edhe fakti që rezultatet kërkojnë kohë dhe durim. Ndryshimet pozitive shfaqen pas disa javësh ose muajsh përdorimi të rregullt.

Si ta përdorni retinolin në qafë dhe dekolte

▪ Filloni ngadalë me formula të buta (0.1%–0.3%).
▪ Zgjidhni krem ose losion, jo serum të fortë, sepse ofron njëkohësisht hidratim dhe zvogëlon irritimin.
▪ Dy javët e para: aplikoni vetëm 1-2 herë në javë, në shtresë të hollë mbi lëkurë të pastër dhe të thatë.
▪ Nëse lëkura e toleron, rritni gradualisht përdorimin deri çdo të dytën natë, e më pas çdo natë.
▪ Retinoli përdoret gjithmonë në mbrëmje.
▪ Pas tij, aplikoni hidratues të pasur (me ceramide ose acid hialuronik).
▪ Në mëngjes, përdorni SPF 30 ose më të lartë çdo ditë, gjatë gjithë vitit.

Rezultatet nuk janë të menjëhershme, por me konsistencë, pas disa javësh deri muajsh, lëkura e qafës dhe dekoltesë mund të bëhet dukshëm më e fortë, më e lëmuar dhe më e njëtrajtshme. /Telegrafi/