Rënie e fasadave dhe kulmeve, intervenohet në lagjen Dardania dhe në zona tjera
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit thotë se ka intervenuar për largimin e rrezikut në ndërtesat e banimit, si pasojë e rënies së pjesëve të fasadave dhe kulmeve, fillimisht në lagjen Dardania, por edhe në zona të tjera të qytetit.
Në njoftim thuhet se ekipet e tyre në bashkëpunim me shërbimet përkatëse, janë duke realizuar intervenime teknike të specializuara, me qëllim parandalimin e rrezikut për kalimtarët dhe banorët.
“Angazhimi ynë është i vazhdueshëm dhe i përqendruar në identifikimin e rreziqeve, largimin e elementeve të pasigurta nga objektet, dhe rritjen e sigurisë në hapësirat publike.
Siguria e qytetarëve mbetet prioritet absolut i Kryeqytetit. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të vazhdojë me monitorim aktiv dhe reagim të shpejtë në çdo rast ku paraqitet rrezik potencial”, thuhet në njoftim.
Tutje ftohen qytetarët që çdo shqetësim apo rrezik të mundshëm ta raportojnë përmes numrave emergjentë: 0800 122 44 ose 0800 122 33.
Ndryshe, komuna ka paralajmëruar se gjatë të dielës priten erëra të forta dhe u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes. /Telegrafi/


