Please enter at least 3 characters.

Rënia e papritur e Cole Palmer dhe vendimi që çon drejt Man Utd

Cole Palmer, një nga lojtarët kyç të Chelseat sezonin e kaluar, po kalon një sezon shumë më të ndërlikuar.

Situata e tij fizike dhe e ardhmja në Stamford Bridge janë kthyer në temë të nxehtë debati në Angli.

Me Cole Palmer, Chelsea bëri një zgjedhje të goditur, të mësuar të shpenzojnë shuma të mëdha dhe shpesh të gabojnë në afate kalimtare vitet e fundit, “Blutë” nuk janë penduar aspak për 47 milionë eurot e investuara në vitin 2023 për ta transferuar nga Manchester City.

Në sezonin e tij të parë në Londër, reprezentuesi anglez shkëlqeu: 45 ndeshje të zhvilluara, 25 gola dhe 15 asistime, shifra që pothuajse bënë që “Qytetarët” të pendoheshin për largimin e tij.

Sezoni pasues konfirmoi pritshmëritë, pa presion të tepruar.

Palmer e mbylli edicionin 2024/2025 me 15 gola dhe 11 asistime në 42 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

I renditur i teti në ceremoninë e fundit të Topit të Artë, 23-vjeçari nisi të përballej gjithnjë e më shumë me problemet fizike.

Ndryshe nga sezoni i tij i parë te Chelsea, ku humbi vetëm një ndeshje për shkak të një ftohjeje, sezoni i kaluar e pa atë më shpesh në dhomën e rikuperimit.

Fillimisht një lodhje muskulore e mbajti jashtë për gjashtë ditë (një ndeshje), ndërsa më pas një dëmtim në tendinën e kofshës e la jashtë fushave për 20 ditë, duke humbur katër takime.

Një prirje shqetësuese

Sezoni aktual ka qenë edhe më i vështirë.

Gjithçka nisi në gusht me një tërheqje në ijë, që e detyroi të mungonte 22 ditë dhe dy ndeshje. Në shtator pësoi një rikthim të dëmtimit, duke qëndruar jashtë për 60 ditë dhe duke humbur 12 ndeshje, deri në mesin e nëntorit.

Kur dukej se problemet po merrnin fund, Palmer pësoi një tjetër shqetësim në kofshë në fillim të janarit, duke humbur edhe dy ndeshje të tjera. Ai nuk ishte i disponueshëm as për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Pafos.

Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, sqaroi situatën:

“Si masë paraprake, ai ndjeu diçka të lehtë gjatë ndeshjes kundër Brentford. Madje ndodhi herët në takim, ndaj e përgëzoj që rezistoi. Por nuk dua të rrezikoj lojtarët e mi në këtë fazë, sidomos ata të nivelit të Cole Palmer. Ka shumë gjasa të jetë gati dhe titullar të dielën kundër Crystal Palace”.

Pas pesë dëmtimeve këtë sezon, Palmer ka humbur gjithsej 19 ndeshje dhe 101 ditë aktivitet.

Ai ka luajtur vetëm 13 ndeshje, 10 prej tyre si titullar, duke shënuar 5 gola dhe asnjë asistim.

Chelsea shpreson në rikthimin e plotë fizik të yllit anglez, por problemet nuk ndalen këtu.

Sipas disa mediave britanike, lojtari nuk është plotësisht i lumtur në Londër dhe do të preferonte një rikthim në Manchester.

Kjo situatë po ndiqet nga afër nga Manchester United.

Sipas Daily Express, “Djajtë e Kuq” janë të interesuar dhe paga e Palmer nuk përbën pengesë.

E ardhmja e Cole Palmer mbetet e hapur, ndërsa fjala e fundit pritet të vijë nga vetë lojtari. /Telegrafi/