Please enter at least 3 characters.

Rekordet e zeza të Sokolit me Prishtinën

2016/01/rekordet-e-zeza-t-euml-sokolit-me-prishtin-euml-n_hd.jpg

Bylbyl Sokoli erdhi me shumë bujë në klubin më të trofeshëm kosovar, Prishtina. Ardhja e tij i kishe frikësuar skuadrat e tjera, pasi ai me vete kishte marrë edhe lojtarin më të mirë në Kosovë viteve të fundit, Mentor Zhdrella, dhe shtatë përforcime të tjera me emër. Prishtina e projektuar nga Sokoli arriti të marrë vetëm vendin e pestë, ndërsa ka shënuar rekord të zi pikësh, golash e fitoresh. Ua sjellim rekordet e zeza të profës, pas 16 javësh në krye të klubit më të madh në vend, të cilin vazhdon ta drejtojë. Tri vjet më parë, Ramiz Krasniqi ishte shkarkuar pasi ishte bërë kampion vjeshtor, raporton Arena.

Skuadra më e përforcuar, e pesta

Prishtina gjatë afatit kalimtar veror ishte skuadra më e përforcuar në Kosovë. Prishtina ofroi lojtarë si Mentor Zhdrella (katër herë lojtari më i mirë në Kosovë), Ahmet Haliti, Fisnik Ramadanaj (të ardhur nga Superliga shqiptare), Festim Krasniqi, Durim Gashi, Visar Zogiani, Florim Bërbatovci e Endrit Grainca. Edhe pse me këto përforcime të pikatura nga ‘Profa’, Prishtina arriti vetëm pozitën e pestë.

Stinori i dytë më i dobët

Ky kampionat ka treguar një Prishtinë që nuk di të fitojë pikë. Nga 16 ndeshje skuadra e Prishtinës ka tubuar 25 pikë, tri prej tyre në tavolinë kundër Trepçës, në një fushë që Prishtina nuk kishte fituar asnjëherë pas luftës. Në këtë gjysmësezon, vitin e kaluar me një skuadër dukshëm më të dobët dhe me më pak transferime, Afrim Tovërlani kishte tubuar 27 pikë. Rekordin më të dobët e mbanë Prishtina e sezonit 2009 -10, me 23 pikë.

Rekordi i zi i golave

Prishtina në këtë kampionat ka shënuar 16 gola, pa tri golat në tavolinë, kundër Trepçës. Vetëm kampionatin e kaluar kishte më pak gola, gjithsej 15, por pikët ishin ato që e mbuluan këtë dështim. 16 gola kishte shënuar Prishtina edhe në stinorin vjeshtor të vitit 2009-10.

Asnjë ndeshje, tri gola

Sokoli dështoi të sjellë spektakël në Prishtinë, ashtu siç kishte bërë në të kaluarën kjo skuadër. Prishtina nuk ka shënuar në asnjë ndeshje më shumë se dy gola këtë sezon, duke arsyetuar edhe numrin e vogël të tifozëve në shkallët e stadiumit. Tri gola në një ndeshje nuk kishte arritur të shënonte as Prishtina e sezonit 2009-10.

Llamkos Kosova mori pikën e parë

Prishtina që nga paslufta gjithmonë e ka mposhtur në shtëpi Llamkos Kosovën, dikur, Kosova e Vushtrrisë. Prishtina në fushën e saj përballë vushtrriasve nga 12 takime ka 12 fitore, me goldallim 19:3. Barazimi i javës së fundit ishte i pari për vushtrriasit.

Më së paku fitore

Këtë kampionat Prishtina ka shënuar pesë fitore në fushë, hiq atë kundër Trepçës në ‘Adem Jashari’. Prishtina asnjëherë që nga viti 2004, nuk ka pasur rekord kaq të dobët me fitore. Edhe Prishtina më e dobët, ajo e vitit 2009-10 kishte shënuar gjashtë fitore.

Më e dobëta në shtëpi

Skuadrat kundërshtare e kishin ëndërr që të merrnin pikë në fushën e Prishtinës. Por, këtë kampionat kanë marrë pikë si asnjëherë më parë. Nga tetë ndeshje Prishtina nuk i ka fituar as gjysmë prej tyre. Prishtina ka tri fitore, katër barazime dhe një humbje. Prishtina asnjë stinor vjeshtor nuk e ka mbyllur në shtëpi me më pak se pesë fitore.

Vetëm tetë gola në tetë ndeshje në Prishtinë

Prishtina në shtëpi ka shënuar vetëm tetë gola në tetë ndeshje sa ka zhvilluar gjithsej. Kjo i bie të ketë shënuar vetëm një gol për ndeshje. Ky është sulmi më i dobët ndonjëherë që ka pasur Prishtina në shtëpi. Prishtina e 2009-2010 kishte shënuar një gol më shumë, nëntë.

Gjashtë ndeshje pa fitore

Nën udhëheqjen e Bylbyl Sokolit, Prishtina ka shënuar edhe një rekord të zi. ‘Bardhëekaltërit’ në këtë stinor vjeshtor, në gjashtë ndeshje radhazi nuk kanë shënuar fitore (hiq fitoren në tavolinë kundër Trepçës). Prishtina nuk arriti të fitojë nga xhiro e tretë deri në të 10 tën.

Prishja me media

Bylbyl Sokoli, është trajneri i vetëm i Prishtinës, që nga paslufta që ka pasur sjellje jo të mirë me media, sidomos ato sportive. I tillë deri diku ishte edhe Afrim Tovërlani. Profesori nuk i ka pranuar dështimet dhe kritikat dhe për këtë ka vendosur të mos flas për disa mediume, përfshirë Arenën. /Telegrafi/