Please enter at least 3 characters.

Real Madridi shpëton minimalisht, por Alonso ende në rrezik

Fitorja ndaj Deportivo Alaves i ka dhënë pak frymë Xabi Alonsos, i cili, megjithatë, do të duhet të luftojë sërish për vendin e tij në dy ndeshjet e ardhshme të Real Madridit para mbylljes së vitit.

Mbrëmë, Los Blancos triumfuan ndaj Alaves në një përballje ku niveli i lojës së tyre ishte më shumë se modest.

Ky triumf mban ekipin në garë për titullin e La Ligës dhe rihap pak kreditin e trajnerit të tyre, Xabi Alonso, i cili pas disa humbjeve në kampionat dhe disfates ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve, dukej pothuajse i shkëputur nga drejtimi i klubit.

Sfida të reja përpara

Sipas OK Diario, për të përfunduar vitin pa presion, Alonso duhet të “shpëtojë” akoma dy ndeshje vendimtare.

E para është në Kupën e Mbretit, ndaj Talavera (e mërkurë, ora 21:00), dhe e dyta në La Liga, kundër Sevillës, e cila ka rifituar pak besim pas fitores së lehtë ndaj Real Oviedos (e shtunë, ora 21:00).

Nëse e kalon këtë dyshim, Alonso do të hyjë në pushim me më shumë hapësirë për të rikuperuar fizikisht dhe psikologjikisht ekipin, si dhe për të përgatitur me përkushtim fillimin e vitit 2026, kur do të presë Real Betisin në Santiago Bernabeu dhe do të udhëtojë në Arabinë Saudite për të luajtur Superkupën e Spanjës.

Një kompeticion që bazuar në formën aktuale, mund të ketë një rëndësi të veçantë për të ardhmen e tij. /Telegrafi/