Please enter at least 3 characters.

Reagon ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë: Turp i madh të flitet në emër të UÇK-së për përfitime politike

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i është bashkuar reagimeve ndaj Dritan Goxhajt, i cili ka dalë në krye të artikulimit të kërkesave të protestës të së hënës. Në një reagim publik, ministri i Mbrojtjes shprehet se nuk mund të përdoret emri i UÇK-së për interesa personale apo politike.

Ministri shpërndau postimin e Ramës dhe e shoqëroi me një koment ku vë në kontrast ata që morën pjesë në luftë me ata që, sipas tij, e mbështesin atë vetëm në fjalë.

Më tej, Nufi ka kritikuar gjithashtu protestën, duke pretenduar se ajo nuk ka një drejtim apo objektiva të qarta.

“Sa e lehtë është të mbështesësh luftën nga divani dhe të refuzosh të shkosh me shokët në fushëbetejë, njejtë si sot të marrësh “pëlqime” nga sheshi i një proteste, e cila nuk dihet nga ata që e përkrahin as se kush e drejton apo çfarë realisht kërkon të arrijë! Nuk ka turp më të madh se sa të hidhet baltë mbi gjakun dhe flamurin e UÇK-së – luftës më të lavdishme të popullit shqiptar për liri në trojet e veta duke e lidhur atë me sharlatanë që guxojnë të flasin në emër të heronjve të vërtetë. Turp vërtet i madh që dikush pretendon të flasë në emër të tyre apo në emër të patriotizmit duke dëmtuar drejtpërsëdrejti interesat kombëtare shqiptare! Ky lloj njeriu vetëm me iranianët dhe/apo gjakprishurit ka lidhje, sepse me UÇK-në asnjë lloj lidhje nuk ka", ka shkruar Nufi.

Ministri ka shtuar se komandanti i vërtetë i UÇK-së është në Hagë, i mbajtur padrejtësisht.

"Ndërsa arkitekti i vërtetë i revolucionit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt familjes së vlerave evropiane, duke bërë një transformim të jashtëzakonshëm për vendin është Edi Rama dhe këtë e kanë treguar më së miri shqiptarët me votën e tyre duke përkrahur atë masivisht dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë!” shkroi Nufi. /Telegrafi/