Raphinha ruan 'traditën' e Barcelonës në foton zyrtare të sezonit 2025/26
Barcelona ka publikuar këtë të hënë fotografinë zyrtare të skuadrës për sezonin 2025/26. I gjithë ekipi, i udhëhequr nga presidenti Joan Laporta dhe trajneri Hansi Flick, pozoi në një imazh përkujtimor në fushën Tito Vilanova, në kompleksin stërvitor Ciutat Esportiva Joan Gamper.
Klubi realizoi dy fotografi zyrtare: në të parën u shfaqën lojtarët, përfshirë afrimin e dimrit Joao Cancelo, si dhe të lënduarit Gavi dhe Andreas Christensen, së bashku me një pjesë të stafit teknik. Fotografia e dytë përfshinte të gjithë stafin e Barcelonës në formacion të plotë.
Një nga detajet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte gjesti simbolik i bërë nga Raphinha me duar, duke ruajtur një “traditë” të njohur në klub. Më herët, të njëjtin gjest e kishin bërë edhe Ronaldinho, Neymar dhe Gerard Pique në fotografitë zyrtare të sezoneve të tyre.
Në qendër të fotografisë u vendos trofeu i Superkupës së Spanjës, të cilën Barcelona e fitoi më 11 janar në Arabinë Saudite, pas fitores ndaj Real Madridit në finale. Pas trofeut qëndronte kapiteni i skuadrës, Marc-Andre ter Stegen.
E ardhmja e portierit gjerman mbetet e paqartë, pasi ai po negocion një huazim të mundshëm te Girona, çka mund të përbëjë ndryshimin e vetëm në skuadër për pjesën e dytë të sezonit. Duket se ai tashmë ka marrëveshje dhe kanë mbetur vetëm detajet.
Fotografia historike u realizua para seancës stërvitore, e cila ishte rikuperuese për titullarët që luajtën në Anoeta dhe më intensive për lojtarët zëvendësues.
Barcelona do të udhëtojë të martën drejt Pragës, ku të mërkurën do të përballet me Slavia Pragën, në kuadër të raundit të shtatë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/


