Please enter at least 3 characters.

Ramush Haradinaj është fitimtar

Mjerisht në jetën dhe botën joreale të këtij realiteti e ambienti politik, sot mund te jepen vlerësime dhe deklarime nga më të ndryshme, e sidomos kur oponenti konceptual politik nuk është në pozitë dhe kushte të njëjta e barabarta mendimi e aksioni.

Duke lexuar në një prej deklaratave të fundit gjatë një interviste të kryeministrit Hashim Thaçi, ku dha një gjykim për opozitën e Kosovës dhe për secilin subjekt veç e veç, ajo çka nuk bëri përshtypje, ishte se përmendi liderin e AAK-së, z.Ramush Haradinaj, si një humbës i secilës garë zgjedhore me të! Është e drejtë kur thuhet se rezultati i këtyre zgjedhjeve ka qenë në favor të PDK-së kundrejt partisë së Ramushit, por verdiktin popullor gjatë zgjedhjeve që u mbajtën, sa e sa here pa prezencën e vet Ramushit në këtë garë, kryeministri Thaçi do të duhej ta shikonte e akcentonte me një dioptri dhe gjykim e vlerësim real e ndoshta dhe human, marrë parasysh fatin dhe pozicionin e liderit të AAK-së se ku gjendet, dhe jo të bëj vlerësim e gjykim miop, që nuk përkon me realitetin faktik politik, që do te ishte me prezencën e Ramushit në vend. Mjerisht në jetën dhe botën joreale të këtij realiteti e ambienti politik, sot mund të jepen vlerësime dhe deklarime nga më të ndryshme, e sidomos kur oponenti konceptual politik nuk është në pozitë dhe kushte të njëjta e barabarta mendimi e aksioni, dhe kështu mundohen të krijojnë përshtypje kolektive se kjo është drejtësia dhe statusi i vërtetë politik në vendin tonë.

Me që në fillim të këtij shkrimi është dhënë një titull real për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmbledhtazi, modestësisht dhe realisht do të ishte mirë të përmendim se, pse kjo figurë, dikur e respektuar e çmuar ushtarake e UÇK-së, e politikës së Kosovës ka një atribut të tillë?! Duke u shkruar mjaft për luftën e UÇK-së dhe meritat e një komandanti të rryer e sypatrembur në zonën e Dukagjinit, këtu nuk do të ndalem dhe aq, por ajo që, personalisht mendoj se, është relevante për t’u theksuar për këtë figurë është ideja e involvimit në skenën politike të Haradinajt, pas një viti në Kosovën e pasluftës, ku ambienti dhe atmosfera politike ishte në një gjendje skajshmërisht të tensionuar, ishte një ide e cila solli frymë relaksuese e afruese midis faktorëve politik të krahut militar të UÇK-së dhe atyre që vazhdonin me politikën pacifiste. Pra, Ramush Haradinaj bëri që të krijohet një ambient e frymë bashkëpunuese midis këtyre dy rrymave politike, atëherë kur u krijua koalicioni Rugova-Haradinaj, dhe kur vendi kishte më shumë se asnjëherë sfida përpara vetes dhe botës për të ardhur deri tek realizimi i ëndrrës shekullore te tij.

E dyta, ulja në karrigen si Kryeministër i Kosovës, u pa se në asnjë çast nuk e mori si privilegj të tijin karrierist, këtë e dëshmoi me një punë brilante, ku për vetëm 100 ditë të punës arriti që të fitojë kredibilitet qytetar, veçanërisht atë të liderëve të njohur ndërkombëtarë. Dorëzimi vullnetar dhe i menjëhershëm për tu ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare, pas marrjes së aktpadisë ndaj tij nga Tribunali i Hagës, ku pamë një formim të një personaliteti më përgjegjësi dhe koshiencë të lartë politike, në momente tejet delikate e deçidive të vet Haradinajt, por shteti dhe progresi për popullin e tij ishin para çdo sakrifice, dukë e thënë: “Unë jam një njeri i Kosovës dhe me dëshirë sakrifikohem për vendin tim”. - Mesazhi ishte i qartë, se puna dhe rruga duhet vazhduar drejt realizimit të aspiratave tona shekullore për të ardhur tek mëvetësia e merituar, dhe barrën pranoi që ta marrë ai, pavarësisht se drejtësia ndaj tij në ato momente ishte e padrejtë! Qëndrimi dinjitoz i Ramushit gjatë gjithë kohës në tribunalin e Hagës, duke qenë i bindur në triumfin e drejtësisë, po ashtu dëshmon fuqinë e një karakteri individual me vetëmohim dhe vetëbesim për nijetin e mirë ndaj rrugës jetësore që kishte nisur. Drejtësia ngadhënjeu, Haradinaj fitoi, doli i pastër dhe i pafajshëm ndaj tërë aktakuzës në përmbajtje!

Më pastaj, rikthimi e aktivizimi i menjëhershëm në jetën politike dhe udhëheqja e partisë së vet- AAK, do të jetë puna dhe rezultati i sukseseve të radhës për Ramushin. Krijimi i koalicionit PDK-LDK do të detyrojnë Haradinajn të bëjë zërin më të fortë opozitar, e ku atëbotë edhe Wikileaks në një prej dokumenteve ku vlerësohen partitë politike në vend, komenti, që është pjesë e çdo fundi të dokumenteve amerikane, ndër të tjera vlerëson se AAK atëkohë ka qenë partia më së miri e organizuar opozitare. Për vetëm një vit e diçka më shumë, Haradinaj arriti të jetë sërish fituesi më i madh i atyre zgjedhjeve (2009), duke shtuar elektoratin ndaj tij për 100% ! AAK-ja me Ramushin këtu, nga 8% u rrit 16%. Shumë individë të njohur të LDK-së duke mos qenë të kënaqur me qasjen e LDK-së ndaj koalicionit të tyre dhe filozofinë drejtuese të LDK-së nga Sejdiu, atëherë këtë koncept opozitar të Haradinajt filluan që ta përqafojnë edhe figurat e njohura të LDK-së, me aderimin e tyre në AAK të Ramushit.

Dhe kur vrulli i punës konstruktive opozitare të Haradinajt filloi që të japë efekte pozitive politike në radhë të parë që i shkonte benefit për partinë e tij, duke e ngritur e rritur në mënyrë rapide votën për të, kjo sikur i pengoi dikujt për një çast, për ta penguar dhe stopuar këtë vrull të Ramushit. Me gjithë qasjen e një opozite konstruktive dhe filozofinë e një lideri karizmatik që tregoi vet Haradinaj, gjatë një seance apeli që ishte në Hagë, ajo e ndali për rigjykim! Precedenti i parë i ndonjë rasti për rigjykim pas verdiktit final që i dha vet ky tribunal! Dhe sot, pas përfundimit të dëshmive të të gjithë dëshmitarëve dhe pa asnjë risie gjatë rigjykimit, zëri dhe veprimi i Ramush Haradinajt është i mbyllur! Sigurisht, që po të ishte prezenca e tij në vend, dizajnimi i skenës politike mund të ishte i ndryshëm nga ajo sot, apo siç e tha në emisionin “Rubikon”, nënkryetari i parë z.Blerim Shala, me rikthimin e Haradinajt në jetën politike do të kishim një tundje të skenës politike të vendit.

Mbi këtë figurë polivalente, mjerisht sot askush, si qeveria e as parlamenti e avokatët tanë apo gazetarët, që Haradinajn e cilësonin kryeministrin më modest e korrekt me mediat, nuk ngrehin zërin në mënyrë të organizuar për të mbrojtur ose kërkuar lirimin e tij. Partitë (liderët) politike nuk do të duhej ta shikonin Ramushin vetëm si konkurrent për ndarjen e ‘hyqymetit’, por si një partner të tyre të fuqishëm në avancimin dhe integrimet e vendit drejt mekanizmave perëndimore ku dhe mëton Republika e Kosovës, prandaj nga të tilla aksionet pozitive të Haradinajt për vendin, gjykimet e tilla për të janë joserioze vetëm me tendencë apo drojë rivaliteti.

(Autori është profesor i Filologjisë)