Please enter at least 3 characters.

Ramiz Lladrovci betohet për mandatin e katërt si kryetar i Komunës së Drenasit

Komuna e Drenasit ka mbajtur sot seancën inauguruese të Kuvendit Komunal, në të cilën u bë betimi i anëtarëve të rinj të kuvendit dhe betimi i kryetarit të rizgjedhur, Ramiz Lladrovci, për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Anëtarët e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit 2025 u zotuan për të ushtruar detyrën me integritet, transparencë dhe në përputhje me ligjin, duke shënuar nisjen e legjislativit të ri lokal.

Në këtë seancë, kryetari Lladrovci dha betimin solemn për herë të katërt, duke theksuar përkushtimin e tij për qeverisje bashkëpunuese dhe në shërbim të qytetarëve të komunës, pa dallime politike, familjare apo shoqërore. Ai nënvizoi se qeverisja në Drenas ndër vite është vlerësuar ndër më të mirat në nivel vendi.

“Me përkushtim për qeverisje të bazuar në ligj, transparencë dhe llogaridhënie, besoj se bashkë me përbërjen e re të Kuvendit do të vazhdojmë të sjellim rezultate për qytetarët,” tha ndër të tjera Lladrovci, duke shtuar se objektiv mbetet që Drenasi të bëhet “dhjetë herë kampion i qeverisjes së mirë”.

Ai theksoi se bashkëpunimi mes kuvendarëve, qytetarëve dhe institucioneve qendrore është thelbësor për realizimin e projekteve në proces dhe nismave të reja që synojnë zhvillimin e komunës.

Në fjalimin e tij, Lladrovci falënderoi edhe përbërjen paraprake të Kuvendit (2021–2025) për mbështetjen e vendimeve të rëndësishme, përfshirë shpalljen “Qytetar nderi” të disa personaliteteve. Ai shprehu shpresën që gjatë vitit të ardhshëm, ky titull t’u jepet edhe figurave të njohura të luftës dhe paqes.

Seanca inauguruese shënon fillimin zyrtar të ciklit të ri qeverisës në Drenas, me synimin për të avancuar projektet aktuale dhe për të zhvilluar iniciativa të reja në shërbim të komunitetit. /Telegrafi/