"Radiologjia, sytë që shohin brenda trupit", Shkëndije Nuza shpjegon metodat moderne të diagnostikimit
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, specialistja e radiologjisë, Shkëndije Nuza ka folur për rëndësinë e ekzaminimeve radiologjike në zbulimin dhe parandalimin e sëmundjeve, duke përfshirë kancerin.
Ajo shpjegon se Radiologjia është një ndër shtyllat kryesore të diagnostikës moderne dhe funksionon si “sy i brendshëm” i mjekut për të parë çfarë po ndodh në organizëm.
Nuza tregoi se radiologjia përfshin një gamë të gjerë ekzaminimesh, duke filluar nga metodat më të vjetra e deri te teknologjitë më të avancuara.
“Rëntgeni i cili përdoret kryesisht për diagnostikimin e frakturave, problemeve pulmonare dhe të strukturave kockore, punon me rrezatim jonizues. Ultrazëri (Eko / Ultrasonografia), ekzaminime të abdomenit, pelvikut, gjirit, qafës, tiroideve, veshkave, sistemit vaskular, punon me valë ultrasonike, pa rrezatim. Përdoret edhe për biopsi me përcjellje ultrasonografike, si të gjirit, tiroideve, mëlçisë, pankreasit, veshkave apo gjëndrave limfatike. Ekzaminon qarkullimin e gjakut në qafë, veshka dhe ekstremitete”, ka thënë ajo.
Tutje ka shtuar se radiologjia ndihmon në diagnostikimin e hipertensionit të shkaktuar nga problemet vaskulare.
“Kryhen edhe biopsi të udhëhequra nga CT, por çdo procedurë mbart një rrezik minimal komplikimesh”.
Një nga komplikimet e rralla gjatë biopsive të mushkërive është pneumotoraksi, por siç thotë dr. Nuza, “është i menaxhueshëm dhe ndodh në raste shumë të izoluara”.
Nuza thekson se miti se mamografia shkakton kancer është i pabazë.
“Nuk ekziston asnjë publikim shkencor zyrtar që vërteton se mamografia shkakton kancer të gjirit”.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë". /Telegrafi/


