Qyteti pa sinjalistika rrugore ndodhet në Holandë - tani mund të ketë një të tillë edhe në Francë
Louis Sarkozy, kandidat për kryebashkiak të qytetit francez Menton, propozon një rinovim të plotë të infrastrukturës rrugore të qytetit. Ai mbështet, ndër të tjera, heqjen e të gjitha sinjalistikave rrugore.
Djali i ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy kërkon një besim më të madh të pjesëmarrësve në trafik.
Megjithatë, masat e tij veçanërisht radikale duket se janë mjaft të pazakonta për mentalitetin francez.
Sarkozy si shembull përmend qytetin holandez Drachten. Heqja e semaforëve dhe sinjalistikave ka pasur një ndikim pozitiv në sigurinë e trafikut.
“Kur nuk ka trotuare, semaforë dhe linja të bardha në rrugë, të gjithë janë më të kujdesshëm,” tha Sarkozy për stacionin francez Radio Monte Carlo dhe shtoi se “është regjistruar një ulje prej 40 për qind e aksidenteve në këto vende”.
Sarkozy foli për qytetin holandez Drachten, ku inxhinieri i ndjerë i trafikut Hans Monderman ndërtoi rreth 20 vjet më parë një sistem pa semaforë, shigjeta dhe shumicën e sinjalistikave të tjera rrugore.
Ai shkaktoi sensacion ndërkombëtar me të ashtuquajturin “hapësirë të përbashkët”.
Ekspertët e trafikut bien dakord se kjo kryesisht funksionon në vende ku nuk ka një intensitet të madh të trafikut. /Telegrafi/


