Qytetarët e Rahovecit zgjedhin projektin që do të financohet nga buxheti komunal
Gjatë ciklit të takimeve me qytetarët e Rahovecit në kuadër të projektit buxhetimi me pjesëmarrje, gjatë ditës së djeshmë në këtë komunë është mbajtur edhe takimi përfundimtar, ku është zgjedhur edhe projekti i cili është propozuar fillimisht nga qytetarët e që do të financohet nga Komuna e Rahovecit.
Nga takimi i parë, i mbajtur me 30 korrik 2024, në parkun e qytetit u propozuan pesë ide për projekte:
Ndriçimi publik prapa KEDS-it; Rregullimi i kopshtit të Sh.M.L “Xhelal Hajda - Toni” Projekti inovativ i turizmit në hyrje - daljet e Rahovecit, me simbolet e rrushit në formë të obeliskut; Projekti turistik “Rahoveci në miniaturë” - vepër arti; Projekti “Klasa verore” në njërën prej shkollave të Rahovecit.
Ndërsa në fund të cilklit të këtyre takimeve projekti që mori më së shumti vota nga qytetarët ishte : ”Projekti Inovativ i turizmit në hyrje - daljet e Rahovecit, me simbolet e rrushit në formë të obeliskut”.
Ky projekt, që u votua me shumicë votash nga vet qytetarët e kësaj komune, do të financohet deri në 30 mijë euro nga Komuna e Rahovecit dhe do të futet në buxhetin e vitit 2025./Telegrafi/


