Please enter at least 3 characters.

PSG përfiton nga lufta mes Neymar dhe Mbappe

2022/10/psg-16-9.jpg

Konflikti që është raportuar në media mes Neymar dhe Kylian Mbappe, me Lionel Messin që nuk është marr me këtë gjë, përveç zhurmës së madhe, po i sjell Paris Saint-Germainit përfitime të mëdha edhe në aspektin sportiv.

Ndërkohë që thashethemet për marrëdhënien e keqe mes tyre janë të pandërprera, në fushën e lojës gjërat janë krejt ndryshe. Ndoshta dëshira për të treguar vlerën e tyre dhe për të qenë fituesit e betejës si lojtari kryesor i klubit francez, i ka bërë ata të jenë thelbësorë për ekipin.

Dhe numrat janë të jashtëzakonshëm dhe nxjerrin në pah një varësi të qartë nga kjo treshe sulmi. Deri në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Maccabi Haifa, 22 golat e fundit të PSG-së, erdhën nga këta tre emra... Mbappe, Neymar dhe Messi.

Francezi grumbulloi nëntë gola, braziliani katër dhe argjentinasi shtatë. Për më tepër, golat e treshes deri më tani këtë sezon përbënin 80 për qind të të gjithë golave ​​që parisienët kanë shënuar deri më tani.

Një luftë e pafund për të treguar se kush është ylli i vetëm dhe i vërtetë që po e çon PSG -në në krye.

Por të dhënat gjithashtu pasqyrojnë se PSG nuk ka humbur asnjë ndeshje deri më tani këtë sezon, as në kampionat dhe as në Ligën e Kampionëve.

Mbappe, në këtë fazë të sezonit ka shënuar 16 gola, ndërsa sezonin e kaluar gjashtë. Braziliani ishte me një gol vitin e kaluar dhe këtë sezon ai ka rikuperuar suksesin e tij para portës dhe tashmë ka shënuar 11.

Dhe së fundi, Messi ishte me tre gola dhe këtë sezon ka arritur tashmë 11 gola, nëse përfshihet edhe Superkupa e Francës.

Padyshim që konflikti i tyre i brendshëm po i shtyn ata drejt paraqitjeve mbresëlënëse.

Mbappe kërkoi largimin e Neymar

PSG u përpoq deri në momentin e fundit të largonte Neymarin në afatin e fundit të verës, ashtu siç kishte kërkuar Mbappe. Klubi parisien kërkoi formulën për të shitur apo transferuar lojtarin brazilian, por u gjend pa oferta konkrete.

Ndër palët e interesuara ishte edhe Chelsea, ndonëse negociatat nuk u realizuan. Dhe ky ishte një destinacion për të cilin Neymar ishte i hapur. Të luash në Ligën Premier dhe në një skuadër që kishte aspirata për të ngritur titullin ishin arsye të mjaftueshme për brazilianin. Megjithatë, operacioni nuk u realizua dhe Neymar qëndroi në Paris.

Tani duket se klubi anglez po rindez interesin, pas konfliktit që duket se ekziston në zhveshtoren franceze.

Messi, duke synuar rekordin e Cristianos

Argjentinasi po kalon një sezon të mrekullueshëm me PSG-në dhe me dy golat e shënuar ndaj Maccabi Haifas , ai tashmë ka shënuar katër gola në Evropë. Kjo e vendos atë në pozitë e dytë në renditjen e të gjitha kohërave me një total prej 129 golash deri më sot.

Cristiano Ronaldo është lider dhe e ka vendosur shifrën shumë lart duke shënuar gjithsej 140 gola, por duhet kujtuar se mungon në këtë edicion të Ligës së Kampionëve.

Pra, Messit i duhen 11 gola për të barazuar dhe 12 nëse dëshiron të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/