Please enter at least 3 characters.

Pse u dashurova me qytetin “e shëmtuar” që rrjetet sociale më këshilluan ta anashkaloja

“Anashkalojeni… Prizreni është shumë më i bukur”. Ky ishte një nga komentet që gjeta në internet, ndërsa javën e kaluar po planifikoja udhëtimin tim nëpër Kosovë dhe po hulumtoja për kryeqytetin, Prishtinën.

Kështu e nis shkrimin e saj kryeredaktorja globale e udhëtimeve në The Independent, Annabel Grossman, e cila shkruan se para vizitës kishte lexuar komente që e përshkruanin Prishtinën si qytet “të mërzitshëm” dhe “të shëmtuar”.

Megjithatë, ajo vendosi t’i jepte një mundësi kryeqytetit të Kosovës dhe u bind se kishte marrë vendimin e duhur.

Sipas saj, arkitektura brutaliste, ndërtesat e periudhës komuniste dhe kafenetë e mbushura me tym mund të mos u pëlqejnë të gjithëve, por Prishtina është qytet me karakter, bulevarde të gjalla dhe sheshe ku familjet e miqtë qëndrojnë deri vonë gjatë mbrëmjeve të verës transmeton Telegrafi.

Ajo veçon Bibliotekën Kombëtare dhe monumentin “NEWBORN”, të cilat pasqyrojnë historinë komplekse të Kosovës. Autorja vlerëson se qytetet me më pak atraksione turistike ua mundësojnë vizitorëve ta përjetojnë më natyrshëm jetën lokale, përmes kafeneve, parqeve, librarive dhe historisë së vendit.

Grossman pranon se Prizreni është më piktoresk, me rrugët me kalldrëm, lumin, Urën e Gurit dhe arkitekturën osmane. Megjithatë, ajo rekomandon vizitën e të dy qyteteve, duke theksuar se Prishtina dhe Prizreni së bashku ofrojnë një hyrje të shkëlqyer për ta kuptuar Kosovën./Telegrafi/.