Pse nyjat mpihen pas pushimit ose gjumit: Kur është normale dhe kur duhet të shqetësohemi
Qëndrimi i gjatë ulur, mungesa e lëvizjes, mosha dhe inflamacioni mund të shkaktojnë ngurtësi dhe dhimbje në nyja, ndërsa ekspertët tregojnë edhe si t’i lehtësojmë vetë simptomat
Ngurtësia e nyjave shpesh është pasojë e qëndrimit të gjatë ulur ose shtrirë. Ekspertët shpjegojnë se nyjat janë vendet ku bashkohen dy ose më shumë eshtra në trup dhe që kanë për funksion të mundësojnë lëvizjen dhe stabilitetin.
Brenda nyjave gjendet lëngu sinovial, i cili lubrifikon nyjat, zvogëlon fërkimin mes eshtrave dhe ushqen kërcin.
Hapat e parë janë më të vështirët
Kur ndodh dëmtimi i eshtrave, mund të shfaqen inflamacioni dhe ënjtja, ndërsa rreth nyjave mund të grumbullohet lëng, sidomos pas qëndrimit të gjatë ulur ose shtrirë.
Në të njëjtën kohë, muskujt dhe indet përreth nyjave mund të tendosen për shkak të mungesës së aktivitetit. Në këtë gjendje dobësohet edhe qarkullimi i gjakut, ndaj nyjat marrin më pak oksigjen dhe lëndë ushqyese.
Këto ndryshime zakonisht janë të përkohshme, por shfaqen me ndjenjë ngurtësie, tendosjeje ose dhimbjeje kur fillojmë të lëvizim përsëri.
“Në këtë situatë, hapat e parë pas pushimit mund të jenë më të vështirët, sidomos pas gjumit të natës”, shpjegon dr. Samuel Ashby, kirurg ortoped nga Banner Health.
Ai shton se jo çdo ngurtësi apo dhimbje në nyja pas pushimit është domosdoshmërisht shenjë problemi.
Ngurtësia normale
Nuk është e pazakontë të ndiejmë ngurtësi pas uljes së gjatë pa lëvizje ose pas gjumit. Ky lloj ngurtësie zakonisht zgjat pak dhe largohet shpejt sapo fillojmë të lëvizim.
Dhimbja dhe ngurtësia mund të jenë edhe pasojë e pozicionit jo të duhur gjatë uljes ose gjumit. Dysheku apo jastëku jo i përshtatshëm mund të ngarkojnë qafën, shpinën dhe ijët.
Kjo ngurtësi e padëmshme shfaqet më shpesh në mëngjes dhe është më e zakonshme te personat e moshuar, sepse nyjat me kalimin e viteve humbin fleksibilitetin natyral.
Problemet janë më të shpeshta edhe te personat me mbipeshë, dehidrim ose me marrje të pamjaftueshme të lëngjeve. Kjo ngurtësi zakonisht largohet brenda 30 minutash dhe nuk pengon aktivitetet e përditshme.
Osteoartriti
Osteoartriti është një nga shkaqet më të zakonshme të ngurtësisë së nyjave, sidomos te të moshuarit. Ai shfaqet kur kërci që mbron nyjat fillon të dëmtohet gradualisht.
Më së shpeshti prek gjunjët, ijët, duart dhe shtyllën kurrizore.
Te osteoartriti mund të shfaqet dhimbje gjatë lëvizjes ose aktivitetit, si dhe ndjesi kërcitjeje ose “plasjesh” në nyje, transmeton Telegrafi.
Gjendjet inflamatore
Format inflamatore të artritit, si artriti reumatoid, ndodhin kur sistemi imunitar ose procese të tjera shkaktojnë inflamacion të nyjave.
Edhe lupusi, si sëmundje autoimune, mund të prekë nyjat dhe organet e tjera.
Në këto raste, ngurtësia e mëngjesit zgjat më shumë se 30 deri në 60 minuta dhe shoqërohet me ënjtje, nxehtësi ose skuqje në zonën e nyjës. Dhimbja nuk përmirësohet pas lëvizjes, ndërsa mund të shfaqen edhe lodhje dhe dobësi e përgjithshme.
Mbingarkesa ose dëmtimet e lehta
Ndonjëherë dhimbja dhe ngurtësia janë pasojë e mbingarkesës së nyjave, lëvizjeve të përsëritura ose dëmtimeve të vogla që irritojnë indet përreth.
Kur pushojmë, këto inde tendosen dhe shkaktojnë parehati gjatë lëvizjes së përsëritur. Mund të shfaqet edhe ndjeshmëri ndaj prekjes, ndërsa dhimbja përkeqësohet pas disa lëvizjeve.
Kur duhet të kërkojmë ndihmë?
Ekspertët këshillojnë të konsultohemi me mjekun nëse:
• ngurtësia zgjat më shumë se 30 deri në 60 minuta
• dhimbja përkeqësohet me kalimin e kohës
• ka ënjtje, nxehtësi ose skuqje
• lëvizjet janë të kufizuara
• dhimbja pengon gjumin dhe jetën e përditshme
Si ta lehtësojmë ngurtësinë dhe dhimbjen
Dhimbja në nyja shpesh mund të lehtësohet me masa të thjeshta në shtëpi dhe ndryshim të zakoneve.
Rekomandohet të shmangen lëvizjet e menjëhershme pas zgjimit, ndërsa ndihmojnë shtrirjet e lehta dhe ecja e ngadaltë.
Të dobishme janë edhe ushtrimet si:
• rrotullimi i nyjave
• përkulja e gjunjëve
• shtrirjet anësore
Qëndrimi i gjatë ulur është një nga shkaqet kryesore të ngurtësisë dhe dhimbjes. Prandaj këshillohet të ngrihemi çdo 30 deri në 60 minuta, të shtrihemi pak ose të ecim.
Po ashtu rekomandohet aktivitet fizik i rregullt me intensitet të ulët, si ecja, noti, biçikleta, joga, pilatesi ose ushtrimet e shtrirjes.
Te shumica e personave të shëndetshëm, ngurtësia dhe dhimbja janë vetëm reagim ndaj mungesës së lëvizjes dhe zakonisht largohen pas disa minutash aktivitet.
Megjithatë, nëse simptomat përkeqësohen ose ndikojnë në jetën e përditshme, është e rëndësishme të kërkohet ndihmë profesionale. /Telegrafi/


