Pse mushkonjat hyjnë vazhdimisht në shtëpi? Këto gabime ua hapin derën
Nuk është vetëm dritarja e hapur – një detaj që shumë e lënë pas dore mund ta kthejë shtëpinë në vendin e preferuar të mushkonjave
Vera sjell ditë më të gjata, mbrëmje në tarracë dhe dritare të hapura, por edhe një nga “mysafirët” më të bezdisshëm të sezonit – mushkonjat.
Edhe pse ndonjëherë duket se është e pamundur t’u shpëtoni, ekspertët theksojnë se disa zakone në shtëpi mund t’i tërheqin edhe më shumë këto insekte.
Nëse çdo mbrëmje përballeni me zukatjen e bezdisshme dhe pickimet, ka mundësi që pa e kuptuar të bëni disa nga gabimet më të zakonshme, për shkak të të cilave mushkonjat hyjnë me lehtësi në shtëpinë tuaj.
1. I mbani dritaret hapur gjatë mbrëmjes
Mushkonjat janë më aktive në muzg dhe gjatë natës. Nëse në atë kohë i mbani dritaret dhe dyert e ballkonit të hapura pa rrjeta mbrojtëse, ato do ta gjejnë shumë lehtë rrugën për brenda.
Nuk është drita e banesës ajo që i tërheq, por aromat, nxehtësia dhe dioksidi i karbonit që vijnë nga hapësirat ku qëndrojnë njerëzit.
2. Keni ujë të ndenjur pranë shtëpisë
Vazot e luleve, kovët, pishinat e fëmijëve, enët me ujë për kafshët shtëpiake ose ulluqet e bllokuara mund të bëhen vende ideale për shumimin e mushkonjave.
Mjafton edhe një sasi shumë e vogël uji që mushkonjat femra të vendosin vezët.
3. I harroni rrjetat kundër mushkonjave
Rrjetat mbrojtëse janë një nga zgjidhjet më efektive kundër mushkonjave, por shumë njerëz ende nuk i kanë ose nuk i mirëmbajnë rregullisht.
Edhe një vrimë e vogël në rrjetë mund të jetë e mjaftueshme që mushkonjat të hyjnë brenda.
4. I ujitni tepër bimët
Bimët janë një shtesë e bukur për shtëpinë dhe ballkonin, por ujitja e tepërt mund të shkaktojë grumbullimin e ujit në pjatat poshtë vazove.
Pikërisht këto vende i tërheqin mushkonjat dhe krijojnë kushte të përshtatshme për shumimin e tyre, transmeton Telegrafi.
5. Nuk përdorni ventilator
Mushkonjat nuk janë fluturuese të mira. Rryma e ajrit që krijon ventilatori ua vështirëson lëvizjen dhe gjetjen e njerëzve që mund t’i pickojnë.
Prandaj, ventilatori gjatë mbrëmjeve të nxehta mund të jetë një aleat i thjeshtë në luftën kundër këtyre insekteve.
6. I lini dyert hapur për një kohë të gjatë
Gjatë verës shpesh hyjmë dhe dalim në ballkon, tarracë ose oborr, ndërsa dyert e hapura u krijojnë mushkonjave një hyrje të lehtë në shtëpi.
7. I neglizhoni aromat që i tërheqin
Mushkonjat tërhiqen nga dioksidi i karbonit që nxjerrim gjatë frymëmarrjes, nxehtësia e trupit dhe disa aroma të caktuara.
Djersa, parfumet e forta ose losionet aromatike mund t’i tërheqin edhe më shumë, sidomos gjatë mbrëmjes.
8. Mbështeteni vetëm te repelentët
Repelentët mund të ndihmojnë, por nuk do ta zgjidhin problemin nëse mushkonjat kanë qasje të lirë në shtëpi.
Rezultatet më të mira arrihen duke kombinuar rrjetat mbrojtëse, largimin e ujit të ndenjur dhe ajrosjen e duhur të hapësirave.
Shumë nga këto gabime mund të korrigjohen lehtësisht, ndërsa ndryshime të vogla mund ta zvogëlojnë dukshëm numrin e mushkonjave në shtëpi.
Me disa zakone të mençura, mbrëmjet e verës mund të kthehen sërish në kohë për relaksim, e jo për ndjekjen e insekteve të bezdisshme. /Telegrafi/


