Pse kaq shumë shtete duan të anëtarësohen në BE, por jo edhe vendet e pasura të Evropës?
Nëntë vende kandidate po garojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, tri prej demokracive më të pasura të Evropës po bëjnë gjithçka për të qëndruar jashtë tij. A është tërheqja e BE-së më e dobët në vendet më të pasura të kontinentit?
Ukraina dhe Moldavia kanë përfunduar shqyrtimin e legjislacionit të tyre për ta përshtatur atë me rregullat e BE-së. Mali i Zi ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 18 prej tyre, ndërsa synon të përfundojë procesin e anëtarësimit në vitet e ardhshme. Shqipëria, ndërkohë, ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht tre prej tyre.
Secili prej këtyre vendeve është më i varfër, ka institucione më pak të konsoliduara ose ndodhet më pranë kufijve të Rusisë sesa Islanda, e megjithatë të gjitha duan të bëhen pjesë e BE-së, raporton euronews.
Islanda, më e pasur dhe më e qëndrueshme se shumica e vendeve anëtare të BE-së, tha jo. Më 29 gusht, votuesit hodhën poshtë me 52.8 për qind kundrejt 47.2 për qind propozimin për rihapjen e negociatave të anëtarësimit.
Islanda mbetet pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane dhe e Zonës Shengen, duke ruajtur qasjen në tregun e përbashkët evropian. Në thelb, ajo zgjodhi të ruajë këtë marrëdhënie me BE-në, pa bërë hapin e mëtejshëm drejt anëtarësimit të plotë.
Pse Islanda tha jo?
Për vendet kandidate, anëtarësimi në BE sjell ndryshime thelbësore. “Përfitimet nga anëtarësimi në BE janë të ndryshme për vendet e pasura dhe tashmë të integruara”, thotë Tinatin Akhvlediani, drejtuesja e programit për zgjerimin në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane (CEPS).
Vende aspirante si Ukraina dhe Mali i Zi përfitojnë mbështetje të fortë gjeopolitike, qasje në fondet evropiane dhe një kuadër reformash që e bën politikisht më të kushtueshëm çdo kthim pas në procesin e demokratizimit dhe konsolidimit të institucioneve.
Për Islandën, ndërkohë, pjesa më e madhe e përfitimeve ekonomike ishte tashmë e siguruar përmes Zonës Ekonomike Evropiane, ndërsa siguria e vendit garantohej nga anëtarësimi në NATO. Në tryezë mbetej kryesisht dimensioni politik: një vend në institucionet e Brukselit, në këmbim të transferimit të mëtejshëm të një pjese të sovranitetit drejt një bashkimi më të ngushtë me vendet e tjera anëtare.
“Përfitimet e anëtarësimit janë më pak të prekshme për votuesit sesa ato që lidhen me konvergjencën ekonomike apo konsolidimin demokratik”, thotë Akhvlediani. “Për vendet që tashmë kanë mirëqenie, stabilitet dhe qasje në tregun e përbashkët, BE-ja duhet të paraqesë një argument politik më bindës në favor të anëtarësimit.”
Islanda është rasti që e vë në provë këtë argument dhe, sipas vetë Akhvledianit, BE-ja nuk arriti ta paraqiste atë në mënyrë mjaftueshëm bindëse.
Fushata e “po”-s kishte argumente të forta në favor të saj. Norma bazë e interesit të bankës qendrore ishte 8 për qind, krahasuar me 2.25 për qind në Bankën Qendrore Evropiane (BQE), ndërsa tensionet në Arktik ishin rritur që kur presidenti amerikan, Donald Trump riktheu në skenë diskutimet për blerjen e Grenlandës. Megjithatë, këto argumente nuk mjaftuan. Edhe çështja e sigurisë, e cila fillimisht e riktheu anëtarësimin e Islandës në BE në agjendën politike, nuk arriti e vetme ta ngushtonte hendekun.
“Shqetësimet për sigurinë ndihmuan që çështja e anëtarësimit të Islandës në BE të rikthehej në agjendë, veçanërisht për shkak të ndryshimeve në marrëdhëniet transatlantike, luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë dhe faktit që Arktiku po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një hapësirë të kontestuar”, thotë Akhvlediani dhe shtoi se “siguria e vetme nuk mjaftoi për ta fituar referendumin”.
Ajo që i shtyu islandezët drejt “jo”-së, për këtë pothuajse të gjithë bien dakord, ishte peshkimi. Rreth 90 për qind e kompanive të peshkimit në vend e kundërshtuan hapur anëtarësimin, pasi nuk dëshironin që ujërat e Islandës t’i nënshtroheshin Politikës së Përbashkët të Peshkimit të BE-së.
Akhvlediani e cilëson peshkimin në Islandë “jo thjesht një sektor ekonomik”, por diçka “të lidhur ngushtë me identitetin kombëtar”. Sipas saj, kjo shpjegon edhe fitoren e fushatës së “jo”-së: “Në fund, votuesit i peshojnë rreziqet gjeopolitike përballë interesave shumë konkrete personale dhe të brendshme. Për Islandën, peshkimi dhe sovraniteti ishin më të drejtpërdrejta dhe politikisht më të rëndësishme sesa argumenti më i gjerë strategjik për një integrim më të thellë evropian”.
Mika Aaltola, eurodeputet finlandez nga grupi i qendrës së djathtë PPE, e shtrin të njëjtën logjikë edhe te bujqësia. Prodhimi islandez i mishit të qengjit, produkteve të qumështit dhe kulturave në sera mbijeton “pas barrierave të larta tarifore”, të cilat rregullat e BE-së do t’i ndryshonin.
“Prodhimi primar në një mjedis të ashpër është çështje ekzistenciale”, thotë ai, “dhe gjërat ekzistenciale nuk bashkohen me të tjerët”.
Çfarë do të thotë kjo për Brukselin?
Brukseli kishte shpresuar për një rezultat tjetër dhe kishte arsye për këtë. Diplomatët e shihnin një “po” të Islandës si një provë të rëndësishme për fuqinë tërheqëse të Bashkimit Evropian, si dëshmi se BE-ja mund të tërheqë jo vetëm shtete që kërkojnë shpëtim ekonomik apo reforma, por edhe një demokraci të pasur dhe funksionale.
Disa zyrtarë shpresonin se një shtysë e përbashkët, e shoqëruar me përparimin e Malit të Zi drejt anëtarësimit, do ta bënte më të lehtë promovimin e politikës së zgjerimit edhe në kryeqytetet skeptike të vendeve të tjera anëtare.
Akhvlediani e kishte mbështetur këtë argument edhe para votimit, duke thënë se një “po” do të dëshmonte se BE-ja është tërheqëse përtej vendeve më të varfra apo më pak të qëndrueshme. Rezultati “jo” e ndërlikon këtë narrativë, megjithëse ajo tregohet e kujdesshme për të mos e ekzagjeruar ndikimin e tij. “Nuk është lajm i mirë për narrativën e zgjerimit, por nuk është një refuzim i projektit evropian”, thotë ajo. “Vota ‘jo’ do të thotë se BE-ja nuk mund ta përdorë Islandën si dëshmi të kësaj tërheqjeje shtesë.”
Sipas saj, ajo që konfirmon rezultati është një kufizim strukturor në argumentin e Brukselit: “Integrimi ekonomik nuk përkthehet automatikisht në integrim politik.”
Islanda nuk është rast i izoluar mes vendeve të pasura evropiane që qëndrojnë jashtë BE-së. Norvegjia ka përfshirë në legjislacionin e saj rreth tre të katërtat e ligjeve të BE-së përmes Zonës Ekonomike Evropiane, pa zhvilluar ndonjëherë një referendum në favor të anëtarësimit në BE.
Sondazhet e këtij viti tregojnë se vetëm 37 për qind e norvegjezëve e mbështesin anëtarësimin, ndërsa 49 për qind janë kundër. Ky qëndrim ka mbetur pothuajse i pandryshuar që nga refuzimi i anëtarësimit nga norvegjezët në dy referendume, në vitet 1972 dhe 1994.
Edhe Zvicra, në vend që të kërkojë një vend në tryezën e vendimmarrjes së BE-së, gjatë vitit të kaluar ka zgjedhur të thellojë marrëdhëniet dypalëshe me Unionin.
Vendet e pasura që qëndrojnë jashtë BE-së kanë diçka që kandidatët e tjerë nuk e kanë: alternativa funksionale ndaj anëtarësimit të plotë, të cilat u sigurojnë pjesën më të madhe të përfitimeve ekonomike pa koston politike që sjell anëtarësimi.
Shenjë paralajmëruese apo rast i veçuar?
Jo të gjithë e shohin votën e Islandës si një qëndrim kundër zgjerimit të BE-së në tërësi. Christine Leuchtenmüller, nga Fondacioni Konrad Adenauer, bën thirrje për kujdes në interpretimin e rezultatit.
Sipas saj, Islanda është një rast “shumë specifik”, i ndikuar nga dekada debatesh mbi peshkimin dhe sovranitetin. Një votë “jo”, thotë ajo, “do të pasqyronte kryesisht rrethanat e veçanta politike dhe ekonomike të Islandës” dhe jo domosdoshmërisht do të thoshte shumë për politikën e zgjerimit në përgjithësi.
Akhvlediani pajtohet se Islanda është një rast i veçantë, por jo një rast pa mësime për vendet e tjera. Sipas saj, një prej mësimeve kryesore lidhet drejtpërdrejt me Oslon.
“Mesazhi kryesor është se BE-ja nuk mund të supozojë se integrimi i thellë ekonomik do të çojë natyrshëm drejt anëtarësimit politik. Për vende si Norvegjia dhe, potencialisht, demokraci të tjera të pasura evropiane, pyetja është se çfarë vlere shtesë ofron anëtarësimi i plotë, krahasuar me marrëveshjet që ato kanë tashmë.”
Për Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përgjigjja është e qartë: siguria, fondet dhe një mënyrë për t’i mbrojtur reformat nga çdo kthim pas në të ardhmen. Për Islandën, Norvegjinë dhe Zvicrën, kjo nuk vlen. Akhvlediani nuk mendon se zgjidhja është krijimi i një formule të veçantë anëtarësimi për demokracitë e pasura. Sipas saj, çështja është më e thjeshtë, por edhe më e vështirë.
“Brukseli mund të përmirësojë mënyrën se si komunikon dhe shpjegon përfitimet e anëtarësimit: ndikimin politik, pjesëmarrjen në vendimmarrje, integrimin më të thellë ekonomik dhe peshën strategjike në arkitekturën evropiane të sigurisë”, thotë ajo.
Vija ndarëse në politikën evropiane nuk është thjesht mes atyre që janë pro BE-së dhe atyre që janë kundër tij. Ajo lidhet më shumë me zgjedhjen mes të pasurit ndikim brenda institucioneve të Brukselit dhe ruajtjes së kontrollit jashtë tyre.
Siç e përmbledh Akhvlediani “nëse BE-ja dëshiron të mbetet një projekt gjeopolitik tërheqës, nuk duhet vetëm t’u kërkojë vendeve kandidate se çfarë duhet të bëjnë për t’u anëtarësuar, por edhe t’u shpjegojë qartë se çfarë u ofron anëtarësimi në këmbim”. /Telegrafi/


