Pse gratë po tërhiqen nga politika? Demolli tregon për ngacmimet seksuale dhe barrierat patriarkale në parti
Pjesëmarrja e grave në jetën publike politike në Kosovë po tregon një rënie shqetësuese, duke nxjerrë në pah mungesën e politikave mbështetëse dhe atmosferën patriarkale brenda partive politike.
Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, tha në “Përballje Podcast” se kjo situatë është një indikator i dhimbshëm që partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të avancuar ose për të fituar poste në komuna dhe në nivel lokal.
“Faktikisht, pjesëmarrja e grave në jetën publike politike po degradohet. Partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të avancuar ose për të fituar komuna, nuk kanë politika mbështetëse, dhe shumë gra nuk ndihen të sigurta gjatë fushatave,” tha Demolli.
Ajo shtoi se gratë shpesh nuk i bashkohen lehtësisht partive politike sepse ato janë patriarkale dhe jo mikpritëse.
“Një politikë e domosdoshme do të duhej të ishte ajo kundër ngacmimit seksual brenda partive. Shumë gra të reja, kur bashkohen me parti politike, përballen me diskriminim dhe ngacmim seksual gjatë fushatave. Tubimet shpesh zhvillohen në mbrëmje, në zona rurale, dhe mungesa e mjeteve apo kushteve të thjeshta i bën ato të pasigurta,” tha Demolli.
Sipas saj se sistemi nuk e konsideron gratë si kontribuese të barabarta në politikë. /Telegrafi/.


