Please enter at least 3 characters.

Proteina C-reaktive: A duhet ta bëjnë edhe të shëndetshmit këtë analizë të gjakut?

Një marker i inflamacionit mund të zbulojë rrezikun që nuk shihet në analizat e zakonshme – dhe që lidhet me infarktin e goditjen në tru

Një në tre persona nuk e mbijeton sulmin e parë në zemër. Megjithatë, faktorët e njohur të rrezikut, si kolesteroli i lartë dhe tensioni i lartë i gjakut, shpjegojnë vetëm rreth gjysmën e rasteve.

Shkencëtarët po zbulojnë se në pjesën tjetër mund të luajë rol inflamacioni kronik dhe i shkallës së ulët, i cili mund të vlerësohet përmes matjes së proteinës C-reaktive me ndjeshmëri të lartë, e njohur si hsCRP.

CRP dhe hsCRP nuk janë e njëjta analizë

Ekzistojnë dy lloje kryesore të analizave për proteinën C-reaktive.

Analiza standarde e CRP-së përdoret për të zbuluar ose monitoruar procese të dukshme inflamatore, si infeksionet e rënda dhe sëmundjet autoimune.

Ndërkaq, analiza hsCRP, përkatësisht CRP me ndjeshmëri të lartë, është krijuar për të matur nivele shumë më të ulëta të inflamacionit. Këto nivele mund të lidhen me rrezikun kardiovaskular që nuk zbulohet gjithmonë përmes analizave tradicionale.

Interesimi për këtë analizë është rritur gjatë viteve të fundit, duke ngritur një pyetje të rëndësishme: a duhet të testohen edhe personat që ndihen të shëndetshëm?

Sipas një deklarate shkencore të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë, matja më rutinore e hsCRP-së mund të ndihmojë në identifikimin e njerëzve që duken të shëndetshëm, por që mund të përfitojnë nga masa më të hershme parandaluese.

“Udhëzimet globale po lëvizin drejt depistimit më të gjerë me hsCRP”, thotë Dr. Paul Ridker, drejtor i Qendrës për Parandalimin e Sëmundjeve Kardiovaskulare në Brigham and Women’s Hospital, i lidhur me Universitetin e Harvardit.

Sipas tij, tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, pirja e duhanit, diabeti dhe obeziteti mbeten faktorë shumë të rëndësishëm. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru ndodhin te njerëzit që nuk i kanë këta faktorë të mëdhenj rreziku, transmeton Telegrafi.

Pse matet proteina C-reaktive?

Inflamacioni është përgjigje natyrore e organizmit ndaj një dëmtimi ose infeksioni. Por kur vazhdon për një kohë të gjatë, ai mund t’i dëmtojë enët e gjakut dhe të kontribuojë në krijimin dhe çarjen e pllakave aterosklerotike që bllokojnë arteriet.

Këto procese mund të çojnë në sulm në zemër ose goditje në tru.

Studimet kanë treguar se niveli i rritur i hsCRP-së mund të jetë një tregues i rëndësishëm i rrezikut kardiovaskular, krahas kolesterolit LDL. Inflamacioni kronik mund ta shtojë rrezikun edhe kur niveli i kolesterolit mbahet nën kontroll.

“CRP-ja me ndjeshmëri të lartë mat inflamacionin kardiovaskular, përkatësisht inflamacionin në enët e gjakut”, shpjegon Dr. Ridker.

Një person nuk mund ta ndiejë këtë inflamacion, ashtu siç nuk mund ta kuptojë pa analiza se ka kolesterol të lartë. Kur inflamacioni dhe kolesteroli i lartë janë të pranishëm njëkohësisht, ato mund ta përshpejtojnë rrezikun që vjen nga njëri-tjetri.

Rreziku mund të ekzistojë edhe pa faktorët tradicionalë

Edhe njerëzit që nuk kanë tension të lartë, kolesterol të lartë, diabet, obezitet dhe nuk pinë duhan mund të kenë rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare nëse niveli i hsCRP-së është i lartë.

Kjo do të thotë se një person mund të duket se nuk ka faktorë të modifikueshëm të rrezikut, ndërsa inflamacioni i fshehur mund të tregojë një rrezik më të lartë afatgjatë.

“Nëse mjeku nuk e mat CRP-në, mund të mos e dijë se ky rrezik ekziston”, thotë Dr. Ridker.

Rezultati i analizës mund ta ndihmojë mjekun të vendosë nëse nevojiten masa më intensive parandaluese ose trajtim me barna.

Në studimet klinike, personat me hsCRP të rritur që morën statina patën rreth 45 për qind më pak gjasa të pësonin sulm në zemër, goditje në tru ose të vdisnin nga një shkak kardiovaskular.

Statinat nuk ndikojnë vetëm në uljen e kolesterolit. Ato mund ta zvogëlojnë edhe inflamacionin. Megjithatë, vendimi për përdorimin e tyre duhet të merret nga mjeku pas vlerësimit të përgjithshëm të rrezikut të pacientit.

Kush mund ta marrë në konsideratë analizën hsCRP?

Sipas Dr. Ridker, shumë të rritur mund të përfitojnë nga matja e hsCRP-së. Analiza është relativisht e lirë dhe mund t’u shtohet lehtësisht analizave të zakonshme të gjakut gjatë një kontrolli mjekësor.

Ajo mund të jetë veçanërisht e dobishme kur rreziku kardiovaskular nuk është i qartë vetëm nga kolesteroli, tensioni, diabeti, duhani dhe faktorët e tjerë tradicionalë.

Megjithatë, rezultati nuk duhet të interpretohet i veçuar. Ai duhet të vlerësohet së bashku me moshën, historinë familjare, tensionin arterial, yndyrat në gjak, diabetin, peshën trupore dhe mënyrën e jetesës.

“Doktorët nuk mund të trajtojnë atë që nuk e matin. Nëse fillojnë ta matin rregullisht inflamacionin kardiovaskular, mund të zbulojnë se disa pacientë që i kanë konsideruar të shëndetshëm, në të vërtetë kanë rrezik të shtuar”, thotë Dr. Ridker.

Si mund të ulet niveli i CRP-së?

Shumë nga zakonet që e zvogëlojnë rrezikun për sëmundje të zemrës ndihmojnë gjithashtu në qetësimin e inflamacionit në organizëm.

Kolegji Amerikan i Kardiologjisë rekomandon:

  • të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar ose të lartë në javë;
  • mbajtjen e një peshe të shëndetshme;
  • kufizimin e ushqimeve shumë të përpunuara;
  • shmangien ose kufizimin e pijeve me sheqer;
  • kufizimin e mishit të kuq dhe mishit të përpunuar;
  • konsumimin e frutave, perimeve, drithërave integrale, bishtajoreve, arrave, peshkut dhe vajit të ullirit;
  • ndërprerjen e duhanit.

“Dëshmitë tregojnë se kur pacientët ushqehen mirë, e lënë duhanin dhe humbin peshën e tepërt, ulet niveli i CRP-së dhe bashkë me të edhe rreziku për sëmundje kardiovaskulare”, përfundon Dr. Ridker. /Telegrafi/