Please enter at least 3 characters.

Prokurorja: Tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, vrasja e Liridonës u krye në prani të fëmijëve

Prokurorja Javorka Perlinqeviq, në fjalën përfundimtare, tha se pas zhvillimit të procedurës së provave, ku janë paraqitur të gjitha provat materiale të grumbulluara gjatë hetimit, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët relevantë që kishin njohuri lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe pas paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, po përmbyllet një proces gjyqësor që, sipas saj, ka sqaruar një krim makabër – vrasjen e Liridona Ademajt Murseli, të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.

Perlinqeviq tha se në këtë fjalë përfundimtare fokusi do të jetë në faktet e paraqitura nga dëshmitarët dhe rrethanat e shqyrtuara gjatë gjykimit, dhe jo në procedurën paraprake.

Sipas saj, djali i madh, në prani të psikologut, ka deklaruar: “hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit ban”.

Gjithashtu, ajo përmendi dëshminë e Leonardit, sipas së cilës fëmijët e kanë sqaruar qartë ngjarjen dhe nuk dëshirojnë të komunikojnë me babain e tyre, të akuzuarin Naim Murseli, duke refuzuar edhe thirrjet telefonike të mundësuara përmes Qendrës për Punë Sociale në Suedi, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokurorja theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, të cilat, sipas saj, paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët, duke e quajtur këtë “tre skenarë të ndryshëm të një ngjarjeje”.

Ajo shtoi se, sipas provave të administruara, i akuzuari Naim Murseli ka kaluar pasditen e ditës kritike me të akuzuarin Granit Plava, me të cilin dyshohet se ka blerë armën e përdorur në kryerjen e veprës, si dhe ka përdorur veturë të huazuar në atë periudhë. Sipas saj, këto rrethana nuk përputhen me deklarimet e mbrojtjes dhe analizat e videoincizimeve tregojnë lëvizje të koordinuara të automjeteve.

Po ashtu, Perlinqeviq përmendi se në qershor të vitit 2022 familja Murseli në Suedi kishte paguar një policë sigurimi në emër të viktimës Liridona Ademaj, dhe se sipas saj, pas kësaj, i akuzuari Naim Murseli i kishte kërkuar të akuzuarit Kushtrim Kokalla të gjejë mënyrën për vrasjen e saj.