Please enter at least 3 characters.

Prokuroria e Prizrenit zgjeron hetimet për rastin e manipulimit të rezultateve zgjedhore

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ka zgjeruar hetimet lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.

Sipas njoftimit, hetimet janë zgjeruar pas pranimit të informatave publike dhe kanë përfshirë një grup të dytë të të dyshuarve.

Me autorizim të Prokurorisë, në kuadër të këtij zgjerimi janë intervistuar gjithsej 28 të dyshuar dhe 6 dëshmitarë.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pesë persona janë ndaluar për 48 orë. Katër prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, dyshohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, një person tjetër, në cilësinë e Koordinatorit të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) për Komunën e Prizrenit, dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 i KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë./Telegrafi/