Please enter at least 3 characters.

Prokurori i Shtetit autorizon Policinë për hetime lidhur me ndotjen e ajrit nga KEK-u në Obiliq

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm ka bërë të ditur se ka pranuar informacione dhe një video-incizim, mbi bazën e të cilave ekzistojnë dyshime për ndotje të ajrit përmes tymit që po shkaktohet nga oxhaku në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në Komunën e Obiliqit.

Në lidhje me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të verifikimit dhe sigurimit të provave relevante.


Rasti është duke u trajtuar në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, sipas nenit 338 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit dhe garanton se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të kësaj çështje. /Telegrafi/